Padia për shpifje ndaj gazetës Wall Street Journal, mund t’i kushtojë rëndë Trumpit

Presidenti amerikan, Donald Trump ka ngritur një padi për shpifje ndaj gazetës prestigjioze Wall Street Journal, duke kërkuar 10 miliardë dollarë dëmshpërblim për një artikull që lidhet me skandalin Jeffrey Epstein.

Në raportin e botuar së fundmi, WSJ pretendon se Trump i kishte dërguar Epsteinit një letër personale në vitin 2003, e shoqëruar me një vizatim të një gruaje të zhveshur, në kuadër të 50-vjetorit të financierit të ndjerë, i akuzuar për trafik të miturish.

Trump ka mohuar kategorikisht vërtetësinë e kësaj letre, duke e cilësuar të fabrikuar dhe me qëllim dëmtimi politik.

“Është një gënjeshtër e turpshme dhe sulm i koordinuar për të ndikuar në fushatën zgjedhore të vitit 2024,” thuhet në padinë e paraqitur në një gjykatë federale.

Megjithatë, ekspertët ligjorë paralajmërojnë se padia mund të kthehet në një bumerang për Trumpin.

Sipas analistëve të CNN, gjatë procesit gjyqësor ai mund të detyrohet të dëshmojë nën betim lidhur me marrëdhëniet e tij të kaluara me Epsteinin, çka mund të sjellë në dritë detaje të panjohura për publikun dhe të dëmtojë imazhin e tij në prag të zgjedhjeve.

Ndërkohë, prokurorë dhe ligjvënës republikanë po shtojnë presionin për publikimin e dokumenteve të plota të rastit Epstein, përfshirë transkriptet e seancave të fshehta dhe listat e të përfshirëve. Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi ka deklaruar se “publiku meriton të dijë të vërtetën, pa marrë parasysh statusin apo emrin e askujt”.

Brenda bazës së mbështetësve të Trump-it, raportimet kanë shkaktuar pakënaqësi dhe pasiguri. Disa zëra kritikë brenda lëvizjes MAGA kërkojnë që ish-presidenti të jetë më transparent rreth së kaluarës së tij dhe të sqarojë çdo lidhje me Epstein-in.

Ndërsa padia ndaj Wall Street Journal pritet të marrë muaj për t’u shqyrtuar në gjykatë, çështja duket se do të vazhdojë të jetë një temë e nxehtë politike dhe ligjore në muajt në vijim.

Kategoritë
BotaLajme