Pacientët shpresojnë të mos mbetet vetëm në letër Lista e barnave esenciale

Të premten është nënshkruar Lista e re e barnave esenciale, e cila përmban barna cilësore, të sigurta dhe falas.

Risi në këtë listë, është se janë rreth 100 barna të reja për sektorin e shëndetësisë publike, si dhe gjenden edhe barna për Onkologji dhe sëmundje të rralla.

Por, Yllka Leci piktore e re e prekur nga sëmundja ‘Fibroza cistike’ shpreson që kjo listë të mos mbetet vetëm në letër dhe të zbatohet në mënyrë të mirëfilltë për të gjithë qytetarët me nevojë për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.

Leci e cila ishte e pranishme në këtë ceremoni, theksoi se sëmundja e saj nuk është shëruese, por është e trajtuar dhe i kushton mjaft shtrenjtë.

Ajo me disa punime, piktura, arrin t’i mbulojë shpenzimet për barnat e nevojshme.

Fjalimi i Yllkës ishte prekës pothuaj për të gjithë të pranishmit.

Leci: Deri në 1500 euro në muaj shpenzojmë për trajtim të sëmundjes

“Në Kosovë sipas të dhënave të Shoqatës për persona ‘Fibroza cistike’ për momentin jemi 112 fëmijë të prekur nga kjo sëmundje. Shoqata është e themeluar në vitin 2015 dhe për momentin janë 112 anëtarë, të gjithë janë prindër të fëmijëve me ‘Fibroza cistike’. Duke parë sakrificën e familjeve tona, prindërve tanë, me ballafaqimin e sëmundjes kur në kushte stabile të shëndetit tonë shpenzojmë minimum 500 euro në muaj dhe rreth 1500 euro në muaj kur ne kemi komplikime, që ndodhë shumë shpesh. Përkundër gjendjes time shëndetësore, unë vazhdoj shkollimin me shumë vullnet. Shpresoj që kjo listë të mos mbetet vetëm në letër”, tha Yllka 13-vjeçare.

E kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili e quajti këtë ditë historike dhe me rëndësi për sistemin shëndetësor, pati fjalë të mira për bashkë-partiakun e tij, ministrin në detyrë Uran Ismajli dhe theksoi se Ismaili dhe të tjerët politikanë duhet të mos jenë të korruptuar dhe me qenë afër njerëzve me nevojë.

Veseli: Urani dhe gjithë politikanët duhet me qenë të pa korruptuar

“Yllka, ishe e jashtëzakonshme, por duhet të themi, ti vazhdo të jesh piktore dhe artise mirë, e Urani dhe gjithë politikanët duhet me qenë të pa korruptuar dhe me qenë afër fëmijëve si ju. Ilaçi më i mirë janë njerëzit, për arsye njerëzit shërojnë me fjalë, pastaj është sistemi i cili duhet me qenë transparent dhe afër njerëzve”, deklaroi Veseli.

Drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë theksuan se finalizimi i kësaj liste është arritur pas një pune një vjeçare, për nevoja të qytetarëve për barna cilësore, të sigurta dhe falas.

Ministri në detyrë në Ministri të Shëndetësisë, Uran Ismaili theksoi sot se pas shtatë viteve u japin një mundësi familjeve të prekura me sëmundje të ndryshme që t’i kenë ato barna falas.

Ismajli: Kjo listë ka mbi 100 barna të reja, për sëmundje të kancerit dhe për sëmundje të rralla

“Lista hynë në fuqi sot, lista nuk do të qëndroj në letër asnjë ditë, për këtë premtojmë. Kjo listë ka mbi 100 barna të reja, ka trajtime për sëmundje të kancerit, për sëmundje të rralla. Trajton sëmundje të ndryshme që pacientët tonë kanë pasur nevojë për to. Po ashtu kjo listë është e përpiluar me standarde ndërkombëtare që largon çfarëdo lloj preferennce ndaj kompanive të caktuara”, deklaroi Ismaili.

Ai mes tjerash tha se kjo Listë do të ketë një buxhet të fuqishëm pas veti dhe do të jetë në shërbim të qytetarëve me nevojë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet