Pa marrëveshje pozitë-opozitë do të stagnojnë politikat zhvillimore të vendit

Tashmë janë bërë më shumë se 100 ditë që kur u konstituua Kuvendi i Kosovë. Fillimisht seanca  për konstituimin e këtij kuvendit u ndërpre disa herë. Ajo u nis më 03 gusht dhe arriti të përfundohej me 07 shtator kur edhe u zgjodh kryetar i parlamentit. Legjislatura e gjashtë, prej kur ka filluar punën, ka miratuar vetëm dy ligje, atë për Plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 dhe Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe BE-së, shkruan Gazeta e Re.

Javën e kaluar ishte paraparë të mbahej një seancë në të cilën do të shqyrtoheshin 12 projektligje, mirëpo për shkak të mungesës së kuorumit kjo seancë dështoi. Kuorumi e pamundësoi pozita e cila lëshoi sallën si shenjë proteste ndaj EULEX-it dhe akuzave që janë ngritur për këtë mision nga ish-zyrtarë të tij. Vazhdimi i kësaj seance u vendos të mbahej ditën e nesërme, por përsëri dështoi për shkak të kuorumi. Këtë herë ishte LDK-ja ajo që nuk mori pjesë në këtë në shenjë kundërshtimi për ditën e caktimit të vazhdimi të kësaj seance.

Legjislatura e gjashtë mund të mos jep rezultatet të mira në punë shkaku i forcave të balancuara në kuvend, thonë njohësit e çështjeve politike në vend. Ata nuk përjashtojnë mundësinë që shkaku i kësaj, vendi të ballafaqohet me një ngërç parlamentar.

Politologu Ramush Tahiri thotë për Gazetën e Re se pa marrëveshje mes pozitës dhe opozitës vështirë se mund të ketë zhvillime pozitive në kuvend. Situata aktuale sipas tij nuk është për tu lavdëruar.

“Kjo legjislaturë është e vaktë në numra. Derisa më herët thuhej se qeveria e kontrollon Kuvendin dhe po ia cakton agjendën, tash në kuvend forcat janë të balancuara dhe vështirë të arrihet gjë pa marrëveshje pozitë-opozitë e kjo vështië që të ndodhë. Mbetet të shihet a do të pranohen rezultatet e zgjedhjeve për kryerarë komunash dhe a do të ndikojë kjo në rënien apo mbetjen e qeverisë. Por kështu si është puna, nuk është për tu lavdëruar”, ka deklaurar Tahiri.

E njohësi i çështjeve politike Dimal Basha, vë theksin tek opozita të cilën ai e cilëson si të fuqishme me të cilën përballet ky kuvend ku sipas tij, mund të stagnojnë politikat zhvillimore.

“Dështimi i seancave është indikatori më i mirë për fragjilitetin e Kuvendit për shkak të mungesës së një kohezioni që vije nga koalicioni i fundit parazgjedhor. Duke marre parasysh opozitën e fuqishme që përballet ky Kuvend, unë dyshoj se do të mund të punohet aty, dhe rezultati i vetëm që pres është që vendi të ballafaqohet me një ngërç parlamentar që do të stagnojë çfarëdo politika zhvillimore, dhe rrjedhimisht mund të çoj në zgjedhje të parakohshme”, ka potencuar Basha.

Ndërsa analisti Blerim Burjani, thotë se papërgjegjësia e deputetëve dhe e udhëheqësve shtetërorë po ndikojnë negativisht në përparimin e vendit.

“Shteti po shkon teposhtë me këtë pa përgjegjësi individuale të deputetëve, qeverisë dhe presidentit të vendit, tani janë lidhë gjëra me inat edhe me EULEX. Ju e dini se koha është për ngritje të aktakuzave e Hashimi i akuzon ndërkombëtarët se nuk i liberalizuan vizat në këmbim të themelimit të gjykatës speciale, tash pezmi i Hashimit po sjell një situatë të re, kundërshtimin e plotë ndaj faktorëve ndërkombëtar kjo është e dëmshme për shtetin. Më së miri të zhbllokohet Kuvendi i Kosovës të aprovohet urgjentisht demarkacioni e të lihet pallavrat politike dhe njerëz me mendje te cekët të cilët e sollën qytetarin këtu ku është të mbyllur në kufijtë e Kosovës pa dalje jashtë, të luftojnë krimin e organizuar të marrin masa dhe aksione për shkatërrimin e oligarkive kriminale”, ka thënë ndër të tjera Burjani.

Ndryshe, vazhdimi i seancës së javës së kaluar është duke u mbajtur sot ku të pranishme janë të gjitha grupet parlamentare. Pas diskutimit u miratuan në parim projektligji për liritë fetare dhe projektligji për Prishtinën. Ndërsa po vazhdojnë të diskutohen pikat e tjera të rendit të ditës./Yllnorë Shala/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet