OVL e UÇK-së reagon ndaj shfaqjes “Bordel Ballkan”

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj shfaqjes së premierës “Bordel Ballkan” në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Sipas veteranëve të UÇK-së, drama ka të meta të mëdha në përmbajtje të saj, si përpjekje për të paraqitur se në Ballkan, në të gjitha ish-republikat dhe krahinat autonome të ish- Jugosllavisë kanë ndodhur dukuri të njëjta, për të thënë se të gjithë kanë bërë krime dhe të gjithë ishin viktima, e ka futur skenaristin dhe regjisorin në një mision të pamundur dhe kontradiktor e të pasaktë me atë qe ka ndodhur gjatë dhe pas luftërave në Ballkan, përkatësisht në ish-Jugosllavi, në këtë ish burg të popujve.

 

Reagimi i plotë i OVL të UÇK-së:

 

ESTETIZIM I AKUZAVE TË SHPIFURA

Me datën 28 prill 2017 në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premiera e dramës “Bordel Ballkan” me skenar të shkruar në vitin 2015 nga Jeton Neziraj dhe regjinë e Andreas Urban, shtetas i Serbisë. Sikurse patën të drejtë skenaristi dhe regjisori i kësaj drame të shprehen lirshëm, e ndiejmë të nevojshme të shprehemi lidhur me dramën.

Skenaristi Jeton Neziraj ka marrë një tragjedi antike, “Orestian” e Eskilit dhe është munduar ta lidhë në mënyrë associative me ngjarjet që kanë ndodhur në Ballkan në vitet e luftës dhe të pasluftës në Kosovë e Ballkan.

Drama ka të meta të mëdha në përmbajtje të saj. Përpjekja për të paraqitur se në Ballkan, në të gjitha ish-republikat dhe krahinat autonome të ish- Jugosllavisë kanë ndodhur dukuri të njëjta, për të thënë se të gjithë kanë bërë krime dhe të gjithë ishin viktima, e ka futur skenaristin dhe regjisorin në një mision të pamundur dhe kontradiktor e të pasaktë me atë qe ka ndodhur gjatë dhe pas luftërave në Ballkan, përkatësisht  në ish-Jugosllavi,  në këtë ish burg të popujve.

Ne dramën “Bordel Ballkan” jo çdo republikë dhe krahinë kishte shkuar te pushtojë Trojën, ose te mbajë zonën nen pushtim, sikurse kishte ndodhur në kohën antike, kur Agamemnoni, komandanti i ushtrisë  akeje, shkoi, e pushtoi Trojën duke vrarë të madh e të vogël dhe u kthye në Mikenë. Shkoi duke vënë në themel tragjedi në vendin e vet dhe u kthye i percjellë gjithashtu nga tragjedi të njëpasnjëshme, që përshkruhen në dramat antike dhe në dramën Orestia te Eskilit. Askush nga shqiptarët nuk ka qenë në rol të tillë.

Në Beograd, kishte komandantë Agamemnonë, që shkretëruan vende tjera. Kjo ide do t’i përgjigjej dramës sikur t’i referohej Serbisë, e cila bëri krime dhe shkretoi Trojën tonë dhe Trojat e republikave të  tjera, ndërsa komandantët e tyre u kthyen si kriminelë në Beograd. Të bëhet përpjekje që në Kosovë të thuhet “mirë se vjen komandant”, kur gjithë komandantët e UÇK-së ishin këtu, në Kosovë, kjo nuk lidhet. Dhe për më tepër nuk shkon, sepse nuk kishin shkretuar, por kishin mbrojtur Trojën e tyre. Madje shumë nga ta ranë në pragjet e shtëpive të tyre.

Andaj ideja e dramës është konfuze, e padrejtë në shtjellim dhe tendencioze. Është dramë thellësisht e politizuar. Mbron politikat e padrejta ndaj Kosovës te shumë qarqe të caktuara në Evropë, që herë e njohin e herë s’e njohin Republikën e Kosovës. Mbi të gjitha kjo dramë propagandon direkt akuzat e Serbisë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, se gjoja komandantët e tyre kanë vrarë fëmijë, kanë dhunuar e kanë vra gra e burra, siç flasin personazhet në dramë. Si pasojë një rrëfim i ndërtuar në të pavërteta.  Ne dramë paraqitet se si në “Fushën e Mëllenjave” u bënë krime nga komandantët gjatë luftës. Kil boxi (frigrifer i vogël mobil) për bartjen e organeve njerëzore të nxjerra nga komandantët ishte prezent në shfaqje dhe me fjalë tekstualisht përmendeshin “veshkët “ (akuza monstruoze të pavërtetuara të Serbisë). Serbisë do t’i kishte shumë hije po ta financonte këtë dramë.

Paslufta në Kosovë nuk ka qenë nën diktaturën e ushtarakëve të Kosovës, të komandantëve të Kosovës, por në pushtetin civil ndërkombëtar e vendor. Rastet, apo edhe dukuritë negative të shpërdorimit të luftës çlirimtare për qëllime të ulëta, nuk mund të luftohen me akuza joselective e të pavërtetuara, sidomos duke i futur në një thes të gjitha luftërat dhe luftëtarët e Ballkanit. Gjithë shoqëria duhet të jetë kundër personave, kushdoqofshin ata, ushtarakë apo çfardo profesioni, që konstatohet se i kanë hipur në qafë këtij populli të vuajtur.  Ne, këto raste, duhet t’i luftojmë në mënyrën se si shfaqen në kushtet e Kosovës dhe jo në mënyrë të përgjithësuar dhe pa asnjë kuptim. Ne sot vendin e kemi të sulmuar pa të drejtë nga Serbia për kohen e luftës. Shoqërinë duhet ta ndërtojmë vetë dhe jo të mbështetur në akuzat dhe në dëshirat e kundërshtarit.

Çdokush ka të drejtë të bëjë, art, me shpenzimet e veta. Por kur është në pyetje buxheti i shtetit më mirë do të ishte të përdoret për afirmimin e vlerave universale që dalin nga lufta çlirimtare e popullit tonë e përgatitur dhe bërë me sakrifica njërzore. Sot është trend që të fitohen fonde dhe konkurse për vepra artistike, ngjashëm sikurse tenderët e kurdisur qeveritar, si kjo dramë që mori nga buxheti i shtetit dhjetra mijë euro për të thënë disa akuza të Beogradit dhe miqve të saj kudër luftës çlirimtare në Kosovë.

Të rikujtojmë se Skenari i dramës “Bordel Ballkan” është shkruar para dy vjetësh, kur ishte debati më i madh për dhe kundër Gjykatës Speciale dhe votimi i saj ne Kuvend. Qeveria, Ministria e Kulturës, Teatri, Drejtori Artistik, si duket e panë shumë me vend që t’i përjetësojnë në art akuzat e Serbisë për luftën çlirimtare të popullit tonë.

Kategoritë
KulturëLajmeVendi

Të ngjajshmet