Osmani: Nënat vetë-ushqyese po diskriminohen shumëfish

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nënat vetë-ushqyese po diskriminohen nga drejtësia.

Osmani ka pohuar se ato diskriminohen edhe në tregun e punës, nga qendrat për punë sociale, nga shoqëria e po ashtu diskriminohen edhe fëmijët, transmeton Telegrafi.

Kryeparlamentarja ka pohuar se institucionet e kanë për obligim të krijojnë lehtësira për nënat vetë-ushqyese.

“Por pavarësisht shkakut, shoqëria jonë duhet të tregojë pjekurinë e duhur për t’u ofruar hapësirën e duhur, institucionet e kanë për obligim të krijojnë lehtësira qoftë përmes politikave apo nismave për t’i fuqizuar ato, e secili nga ne duhet të kuptojë që çdo përmirësim i mirëqenies se çdo individi është një hap më afër përmirësimit të mirëqenies kolektive. Andaj, mirëqenia e nënave vetë-ushqyese rezulton edhe në mirëqenie më të mirë për gjithë shoqërinë tonë tani, si dhe në të ardhmen përmes fëmijëve të tyre”, thuhet në reagimin e Osmanit.

Për më shumë, reagimi i plotë:

Diskriminimi i shumëfishtë për nënat vetë-ushqyese

– Nënat vetë-ushqyese diskriminohen nga drejtësia!

Shumë nëna vetë-ushqyese rrëfejnë për diskriminime nga drejtësia, teksa luftojnë për drejtësi. Proceset e tejzgjatura gjyqësore edhe me mbi 10 vite rëndojnë gjendjen e tyre, amplifikojnë vështirësitë e përditshme dhe krijojnë ambient të volitshëm për manifestim të akteve të dhunës në familje, të cilat në disa raste përfundojnë edhe me humbje të jetës. Për më tepër, përkundër kërkesave ligjore, shumë shpesh atyre u mohohet kontributi i dhënë për vite në familje, duke pamundësuar kështu që të përfitojnë nga ndarja e pasurisë.

– Nënat vetë-ushqyese diskriminohen në tregun e punës!

Situata e rënduar ekonomike, sidomos në këtë periudhë të përballjes me pandeminë Covid-19, por edhe shkalla e lartë e papunësisë në mesin e grave, kufizojnë ndjeshëm mundësitë dhe rëndojnë skajshmërisht pozitën e grave, e në veçanti të nënave vetë-ushqyese. Atyre shpesh iu mohohen apo s’ju ofrohen fare mundësitë e punësimit, herë si pasojë e stigmatizimit e rregullisht si pasojë e mungesës së politikave mbështetëse për angazhimin dhe inkuadrimin e tyre, qoftë nga sektori publik po edhe ai privat.

– Nënat vetë-ushqyese shpesh diskriminohen nga qendrat për punë sociale!

Shumë gra rrëfejnë se në vend se të marrin mbështetjen e duhur nga institucionet, atyre kohë pas kohe u bëhet presion që të kthehen aty ku ka dhunë e të durojnë. Qendrat për punë sociale duhet të jenë mbështetje e fuqishme e trajtuese e drejtë e kërkesave të nënave vetë-ushqyese, e jo vend ku ato ndiejnë presion, paragjykim apo refuzim.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet