Osmani komenton deklaratën e bashkëshortit: U bë në kohën kur na u rrezikuan fëmijët

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka komentuar një paraqitje të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, menjëherë pas shpalljes së rezultatit preliminar të zgjedhjeve, që akuzoi eksponentin e Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, për përkrahje të një portali që fabrikonte lajme për ta sulmuar Osmanin.

“Prindoni ka folur për sulmet që janë bërë ndaj familjes sonë. Kjo nuk ka të bëjë me LDK-në. Ka folur në një moment kur është rrezikuar edhe jeta e fëmijëve tanë. E ka shkruar kur disa persona kanë ardhur në oborrin e shtëpisë sonë dhe kanë frikësuar fëmijët tanë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se portale e faqe të krijuara ad-hoc kanë përhapur të pavërteta, “kinse jemi spiunë të Serbisë, të Rusisë, kinse Vjosa është dëshmitare e Hagës dhe se ka mbledhur dëshmi kundër UÇK-së”.

“Ka qenë e njëjta klimë si në kohën kur janë vrarë figurat e LDK-së. Edhe atëherë, dikush ka krijuar retorikën, por kurrë nuk e kanë marrë përsipër përgjegjësinë kur ka ndodhur ndonjë sulm ndaj figurave më të larta të LDK-së”, ka thënë Osmani, në Rubikon të KTV-së.

Ajo ka thënë se nuk do ta përziejë këtu LDK-në, por do të merren si familje me ndjekjen e drejtësisë ndaj këtyre faqeve e portaleve që kanë fabrikuar lajme.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet