Osmani: Do ta shfuqizoj vendimin për konsull në Pragë, u bë nga Thaçi e jo nga unë

U.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me emërimin e djalit të deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, Flakron Shala si Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë.

Osmani përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se emërimi i Konsullit të Përgjithshëm në Pragë dhe emërimet e tjera të cilat po publikohen këto ditë janë bërë nga ish-Presidenti Thaçi, e jo nga ajo si ushtruese e detyrës.

Sipas saj, përkundër kërkesës së saj deri tani as edhe një dokument i vetëm nuk i është sjellë për shqyrtim, sa i përket shërbimit diplomatik, nga ana e Qeverisë.

“Emërimi i Konsullit të Përgjithshëm në Pragë dhe emërimet e tjera që po publikohen këto ditë janë bërë nga ish-Presidenti Thaçi, e jo nga unë si ushtruese e detyrës. Përkundër kërkesës sime, deri tani as edhe një dokument i vetëm nuk më është sjellë për shqyrtim, sa i përket shërbimit diplomatik, nga ana e Qeverisë”, ka thënë Osmani.

Tutje ajo theksoi se Konsullata e Përgjithshme në Pragë dhe emërimi i Konsullit të Përgjithshëm janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike të vendeve demokratike.

“Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njejtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm. Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do të shfuqizohen”, ka shkruar ndër të tjera, u.d e presidents, Vjosa Osmani.

Ndryshe, mbrëmë në media është raportuar se djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, Flakron Shala është emëruar Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi