Organizohet turneu i parë mbarëkombëtar në sportin e Golfit

Federata e Golfit ka mbajtur sot konferencën e parë për media. Gjatë kësaj konference është bërë e ditur që Federata e Golfit të Kosovës do të organizojë për herë të parë turneun më të madh në këtë sport të quajtur Gjergj Kastrioti.

I pranishëm në këtë konferencë ishte sekretari i Federatës së Golfit të Kosovës, Lavdim Zylifu si dhe kapiteni i golfistëve të Amerikës, Florim Bajraktari.

Zylifu u shpreh se kjo pritet të jetë ngjarja më e madhe që është organizuar ndonjëherë në sportin e golfit nga kjo Federatë, e cila është themeluar vitin e kaluar.

“Këtë vit gjatë muajit maj, me datën 24-28 maj, në Gjermani do ta organizon kampionatin mbarëkombëtar, trofeun “Gjergj Kastrioti”, në lojën e golfit. Njëherazi kjo do të jetë ngjarja më e madhe e ndodhur ndonjëherë në sportin e golfit në historinë shqiptare ose mbarë shqiptare. Shkak i kësaj gare është themelimi i Federatës së Golfit të Kosovës dhe organizmi i kampionatit të parë të Golfit të Kosovës, i cili ka ndodhur vitin e kaluar në Gjermani dhe pas kësaj ngjarje kemi biseduar me Florimin i cili sot është këtu në cilësinë e kapitenit të lojtarëve të Amerikës, që ti bashkojmë forcat mes dy kontinenteve, pra të bashkohemi për herë të parë sportistët e golfit dhe që i bie sportistët mbarë shqiptar nga dy kontinentet në mënyrë që ta organizojmë një ngjarje shumë të madhe të golfit”, deklaroi Zylifu.

Ndërsa kapiteni i sportistëve nga Amerika, Florim Bajraktari u shpreh se ka qenë ideja e tij dhe e Lavdimit që të bëhet një turne mes lojtarëve shqiptar nga Evropa si dhe atyre nga Amerika në sportin e golfit.

“Ne, skuadra jonë prej Amerikës jemi të përzier në tërë anët e Amerikës, të gjitha shtetet. Shumica janë lojtarë të rinj, lojtar të New Yorku-t dhe janë nga shteti i Mitchigan. 10 vitet e fundit çdo vit luajmë një garë në Amerikë, 14 shqiptar amerikan nga shteti i New Yorku-t kundër 12 shqiptar amerikan nga shteti i Mitchigan. Ndeshemi nga pak se kush është më i mirë, kështu e kemi ne atje. Kur e kemi parë ne nëpërmjet internetit se çfarë ka bë Lavdimi me lojtarët shqiptarët në Evropë, pata telefonuar dhe i kamë thënë të bëjmë një turne, një garë jashtë Kosovës me shqiptarët e Evropës me luajt një garë me shqiptarët e Amerikës”, potencoi Bajraktari.

Kujtojmë që ky turneu pritet të mbahet më 24-28 Maj, në Heiitlinger të shtetit të Gjermanisë, i cili pritet të financohet nga vetlojtarët.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet