Organizata bamirëse turke do të ndihmojë nevojtarët në 26 vende gjatë Kurban Bajramit

Kreu i bordit të organizatës Sadık Danışman, tha për Anadolu Agency (AA) se grupi humanitar po bën përpjekje për të arritur te 700.000 njerëz anembanë globit.

Organizata bamirëse e Turqisë Yardımeli do të ndihmojë qindra mijëra njerëz nevojtarë nga 26 vende me rastin e festës së Kurban Bajramit, i cili këtë vit fillon më 31 korrik.

Agjencia Ndërkombëtare e Ndihmës Humanitare, Yardımeli, do të ndihmojë nevojtarët përpara festës.

Kreu i bordit të organizatës Sadık Danışman, tha për Anadolu Agency (AA) se grupi humanitar po bën përpjekje për të arritur te 700.000 njerëz anembanë globit.

Therja e kafshëve dhe shpërndarja e mishit do të kryhet në 53 rajone të ndryshme në 26 vende, tha ai.

“Ne kaluam një proces të ndryshëm përgatitjeje për Bajramin e këtij viti në krahasim me vitet e kaluara për shkak të pandemisë”, tha Danışman.

Aktivitetet e Bajramit do të kryhen në Afrikë, Azi, Lindjen e Mesme, Ballkan dhe Turqi, si dhe në rajonin e Kaukazit.

“Duhej të rishikonim planet tona, të cilat ishin përgatitur muaj më parë për organizatën humanitare. Ne anuluam planet për therjen dhe shpërndarjen e kafshëve në rajone që mund të paraqesin rreziqe si pjesë e masave të kujdesit shëndetësor”, tha ai.

Danışman theksoi se një rritje ose rënie e donacioneve mund të vërehet më qartazi në ditët në vijim, por parashikimi është që do të ketë një rritje, pasi përgatitjet po vazhdojnë.

Numri i donacioneve do të rritet këtë vit sepse therja masive e kafshëve nuk lejohet në Turqi, tha ai.

“Meqenëse therja e kafshëve është e ndaluar të kryhet në masë për shkak të pandemisë, ne vlerësojmë se donatorët do të kryejnë detyrimet e tyre të Bajramit përmes donacioneve”, tha Danışman.

Qëndrimi i njerëzve gjatë kohërave të vështira

Ana më e fortë e kombit turk në periudha të vështira është bashkëpunimi dhe shkëmbimi i vetëdijes, tha Danışman, duke shtuar se madje edhe ata që ishin në gjendje të mirë financiare gjithashtu u përballën me vështirësi gjatë pandemisë.

“Ne arritëm të vazhdojmë të mbështesim njëri-tjetrin”, tha ai.

Sipas Danışman, një numër i shoqërive perëndimore ishin në dëshpërim gjatë pandemisë dhe nuk kishin një vetëdije të ngjashme.

“Për dallim nga disa shoqëri perëndimore, kombi ynë i tejkaloi këto vështirësi me frymën e solidaritetit dhe vetëdijës për ndarjen”, theksoi ai.

Ndarja e lumturisë

Prioriteti i parë i bamirësisë gjatë pandemisë ishin njerëzit e papunë dhe punëtorët me mëditje.

Gjatë muajit të Ramazanit, i cili po ashtu kaloi në kohën e kufizimeve për shkak të pandemisë, organizata humanitare dërgoi 6,5 milionë lira turke (950.000 dollarë) në para për të papunët në Turqi dhe jashtë saj.

Përparësi gjatë Bajramit do të jenë jetimët, nevojtarët, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe ata që kanë humbur punën, tha Danışman.

“Të gjitha ekipet tona tashmë po përgatisin listat e shpërndarjes. Ata po vizitojnë familjet drejtpërdrejt për të përcaktuar nevojat e tyre”, njoftoi ai.

Plane të veprimit janë duke u zhvilluar për të parandaluar krijimin e turmave në ditën e shpërndarjes.

Fushata e dhuratave “Veshje për Jetimët”, e cila mbahet çdo festë, “vazhdon me shpejtësi të plotë” për t’i bërë jetimët të lumtur, tha Danışman.

“Jetimët dërgohen në dyqane në grupe të vogla, ku ata zgjedhin veshjet e tyre festive që do të blihen”, shtoi ai.

Gjatë këtij Bajrami po ashtu do të realizohet edhe projekti “Një kurban, një fidan”, i cili realizohet tashmë tri vite.

Në kuadër të këtij projekti, mbillen fidane në Turqi dhe jashtë saj, për çdo kurban të dhuruar si donacion për shoqatën Yardımeli.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet