Opozita po bëhet gati ta rrëzojë Qeverinë Haradinaj, ndoshta kësaj radhe e ka seriozisht

Edhe ashtu, ky vit ka qenë mjaft sfidues për Qeverinë e Kosovës. Dhjetëra skandale, disa prej të cilave e tronditën fort kabinetin qeveritar të udhëhequr nga Ramush Haradinaj dhe nga ana tjetër një opozitë (të paktën numerikisht), mjaft problematike, e cila shkaktoi kriza e bllokada të shpeshta, duke bërë që jeta parlamentare të mos zhvillohet normalisht – shkruan Gazeta e Re.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, për opinionin publik e bëri të qartë që takimi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin, do të ndodhë së shpejti “për të bashkërenditur veprimet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale dhe përmbysjen e Koalicionit PAN. Po ashtu, gjatë javës, do të ftoj edhe Kryetarin e PSD-së, z. Ahmeti të diskutojmë dhe të merremi vesh për veprime të përbashkëta”.

Ky mobilizim i opozitës, po ndodh pas një përplasjeje të ashpër ndërmjet deputetëve në kuvend, ndërsa shqyrtohej ideja e themelimit të një Gjykate Speciale, përkatësisht një tribunali të luftës, ku do të gjykoheshin të gjithë kriminelët serbë që kanë qenë të përfshirë në gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës, në luftën e fundit.

Memli Krasniqi, Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, gjatë seancës madje i provokoi opozitarët duke u thënë që “nëse e kanë seriozisht” le ta rrëzojnë qeverinë, sepse ka kohë që veç kërcënimeve nga ana e tyre, nuk kemi parë gjë konkrete.

Por a e kanë seriozisht kësaj radhe?

Sipas analistit Blerim Burjani opozita duhet të ketë vota për ta rrëzuar “këtë qeveri zhvatëse dhe problematike”. Paaftësia e saj është e lidhur ngushtë, sipas tij, me dukuritë negative si korrupsioni e nepotizmi, dhe kjo dëshmohet për faktin se shumë zyrtarë “zvarriten nëpër gjykata, sikurse bie fjala, zyrtarët e përfshirë në rastin PRONTO.”

Burjani shprehet se është mbushur kupa, meqë iniciativat e ndërmarra nga kjo qeveri, nuk realizohen, sepse nuk janë të mundshme. “Taksa e ka ngritur koston e jetës në Kosovë, ndërsa mbrohet me kryeneçësi të madhe politike të tipit injorant.”

Por për të ndodhur “rrëzimi”, PDK-ja duhet t’ia jap së paku 5 vota opozitës së përbërë prej LDK-së, VV-së dhe PSD-së.

Kjo sipas tij, edhe pse do të shënonte shembjen e një kabineti të korruptuar “e zhvatës”, nuk u garanton qytetarëve ardhjen e një pushteti që do të qeveriste me këmbë të mbarë.

“VV nuk ka kuadër për të udhëhequr as një fshat, e lëre më qeveri të shtetit; përderisa LDK po ka telashe të brendshme dhe më nuk është ajo e dikurshmja. Ky subjekt është vërshuar nga njerëz të padijshëm në disa poste në zgjedhjet e fundit në këtë parti. Pra qytetaret janë në hall për të gjetur një alternativë normale që e udhëheq shtetin, jo si kjo aktualja. Ata nuk po e kërkojnë një model të këtillë, siç e kemi” shkruan më tutje Burjani, duke e përmendur numrin e zyrtarëve të shumtë, që e përbëjnë mega-kabinetin haradinaj.

Sipas përllogaritjes së tij, opozitarëve do t’ju mjaftonin edhe pesë vota, sa për ta rrëzuar këtë “PAN të dëmshëm për shtetin, shoqërinë, sektorin privat dhe përgjithësisht ekonominë e vendit”.

Mediat sot kanë raportuar se një “entuziazëm” i ri e ka përfshirë opozitën, ndërsa shpresa që ajo t’i sigurojë votat e mjaftueshme, sidomos pas skandaleve të fundit, janë rritur dukshëm./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet