Opozita (nuk) është e interesuar ta rrëzojë Qeverinë Haradinaj

Opozita (nuk) është e interesuar ta rrëzojë Qeverinë Haradinaj
Opozita (nuk) është e interesuar ta rrëzojë Qeverinë Haradinaj

Zafir Berisha, deputet i NISMA-s, tha që është i gatshëm ta votojë rrëzimin e qeverisë, nëse partitë opozitare i sigurojnë 60 vota në parlament. Por ky vullnetarizëm i tij, nuk u mor shumë seriozisht nga këto të fundit. Përderisa deputeti i pavarur Korab Sejdiu është shprehur se ardhja deri te mocioni i mosbesimit, duhet të shoqërohet me një motiv të fortë, Besa Gaxherri, një tjetër deputete opozitare, nuk ka thënë nëse vërtetë janë duke e menduar opsionin për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj nga pushteti. Për më shumë, ajo nuk është treguar shumë e qartë nëse është duke u debatuar rreth kësaj, duke thënë se të gjithë deputetët të cilët mendojnë se qeveria aktuale është e dëmshme për vendin <<në një moment të caktuar, do të bashkëpunojmë për ta rrëzuar>> atë, ka thënë ajo. Përgjigja e saj lë të nënkuptohet se ky moment i caktuar, megjithatë, ende nuk ka ardhur – shkruan Gazeta e Re.

Sipas rregullores së kuvendit e përcaktuar për këtë punë, neni 30 ka këto pika që duhen respektuar: 1. Me propozimin e një të tretës (1/3), përkatësisht të 40 deputetëve të Kuvendit, mund të merret mocioni i mosbesimit për Kryeministrin. 2. Mocioni i mosbesimit, i nënshkruar nga së paku një e treta (1/3), përkatësisht nga 40 deputetë, pranohet kur për të voton shumica e të gjithë deputeteve të Kuvendit. 3. Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës, jo me vonë se pesë (5) ditë dhe jo më herët se dy (2) ditë nga dita e parashtrimit të tij. 4. Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje. 5. Nëse mocioni i mosbesimit dështon, një mocion tjetër i mosbesimit mund të parashtrohet vetëm pas nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme.

Por është e qartë që subjektet politike janë të preokupuara me zgjedhjet lokale. Për më shumë, Seb Bytyçi, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Winchesterit, vëren edhe një motiv më tepër se pse opozita nuk do ta shfrytëzojë “ofertën” e Berishës dhe ta rrëzojë qeverinë.

<<Mendoj se opozita nuk ka qenë e interesuar që të bashkohet për ta formuar qeverinë, prandaj vështirë që mund ta bëjë një gjë të tillë tash>> – thotë Bytyçi, duke shtuar se: <<Fokusi i tyre është te zgjedhjet lokale, kështu që politikat nacionale janë në rend të dyte tash për tash.>>

Ndërkaq opinionisti Suad Jetullahi beson se motivi i Berishës, për ta mbështetur opozitën në një kauzë të tillë të mundshme, ka të bëjë krejtësisht me pakënaqësinë e tij individuale, respektivisht me <<heqjen e mundësisë për të kandiduar në zgjedhjet lokale dhe në këtë mënyrë ai dëshiron t’i hakmerret ekzekutivit të tanishëm>>. Si të pasinqertë e cilëson këtë gatishmëri të deputetit Berisha edhe gazetari Fehmi Maloku, i cili mendon se megjithatë kësaj qeverie duhet t’i epet një mundësi.

<<Mendoj se ideja e z. Berisha, as nuk është e sinqertë, as e qëlluar, madje, s’është as parimore, veçanërisht kur kemi parasysh se nga cili subjekt politik del deputeti në fjalë!>> – thotë Maloku, duke shtuar se sado të pakënaqur që jemi me këtë qeveri, me mbingarkimin e saj me zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra <<duhet dhënë kohën minimale (100 ditë), për të parë realisht se çka  mund të bëjë kjo qeveri!>> – ka thënë Maloku.

Jetullahi, nga ana tjetër, mendon se vota e Berishës do t’i bënte nderë opozitës, por këtë të fundit nuk e sheh të gatshme për t’i hyrë kësaj sfide.

<<Kësisoj Berisha me votën e tij kundër kësaj qeverie do t’i bënte nder edhe opozitës e cila ndihet e tradhtuar, veçanërisht nga subjekti i AKR-së. Nga ana tjetër, mënyra se si janë arritur numrat për krijimin e qeverisë mund të jetë një motiv shtesë për opozitën që të bëjë hapat e radhës për rrëzimin e saj. Shto këtu edhe faktin se numri i deputetëve të opozitës është afër gjysmës së numrit total të kuvendarëve, mundësia për rrëzimin e qeverisë, së paku sipërfaqësisht duket mjaft reale. Mirëpo duke pasur parasysh që LDK-ja ka një të kaluar të bujshme në rolin e patericës së PDK-së, mundësia që të gjithë deputetët e këtij subjekti të votojnë për rrëzimin e një qeverie në konfiguracionin e të cilës është edhe PDK-ja, nuk duket të jetë edhe aq e mundshme, së paku jo tani për tani. Sa i përket çështjes së dhënies së mundësisë që kjo qeveri ta dëshmoj vetën, konsideroj që pritjet ndaj saj nuk mund të dallojnë prej pritjeve ndaj qeverive të kaluara, për shkak se janë po ato subjekte që kanë qeverisur deri më tani. Andaj të presësh rezultate pozitive nga akterët politikë që këtë vend e kanë hedhur buzë greminës mund të tingëllojë paksa absurde >> – përfundon Jetullahi.

Maloku, megjithatë këmbëngulë në atë që, nuk është koha të provohet një gjë e tillë.

<<Gjithsesi mendoj, se edhe kësaj qeverie, me gjithë nisjen e saj të kompromentuar e të stërngarkuar (për buxhetin e shtetit), duhet dhënë gjasa dhe kohë. Jemi lodhur, madje shumë me paqëndrueshmëri institucionale, madje shpesh, edhe fare pa institucione, prandaj nuk shkon kështu!. E kuptoj ‘gatishmërinë e madhe’ të të gjithëve që po duan të ‘sakrifikohen’ për t’i shërbyer interesave të shtetit, ama duhet të ketë edhe pak kandar, të ndërroj kjo logjika ‘ja unë, ja kërkush hiç!.  Gjithmonë ka qenë e duhur, por neve tash na obligohet: Të ecim ngadalë, se mjaft stanguam!.>>

Aktualisht vëmendja e subjekteve politike nuk është te puna e qeverisë së sapoformuar, por te zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen 22 tetor. Disa kandidatë për kryetarë komunash dhe asamble komunale, veç e kanë filluar fushatën. Dukshëm vërehet një mobilizim i të gjitha partive nëpër komunat e Kosovës, ndërkohë që mediat janë mjaft të zëna me raportime ditore në lidhje me këto aktivitete, të cilat për çdo ditë po shtohen. Pra për sa i përket mocionit të mosbesimit, siç do të thoshte Besa Gaxherri, nuk ka ardhur momenti i caktuar./ImerTopanica/Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet