Opozita e heshtur, nuk do ta provojë opsionin e mocionit deri në vjeshtë

Qeveria e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, mund të “flenë” e qetë, të paktën deri në vjeshtë. Me gjithë kërcënimet, opozita ende nuk ka arritur që të mobilizohet rreth asaj që mund të quhet: kauzë për rrëzimin e kësaj qeverie, nëpërmjet votës së mosbesimit – shkruan Gazeta e Re.

Ramush Haradinajt dhe kabinetit të tij, kërcënimet e fundit i kanë ardhur nga dy politikanët e dy partive më të mëdha opozitare në vend – Isa Mustafës dhe Albin Kurtit. E përderisa i pari ka qenë më i zënë me zhvillimet e brendshme brenda subjektit politik që ai e drejton, i dyti është shfaqur disa herë i vendosur në publik, duke thënë që vendi nuk e meriton një qeveri si kjo që është aktualisht.

Të dy krerët e dy partive në fjalë, kanë pasur mjaft takime, ndërsa janë pajtuar që ta mobilizojnë jo vetëm opozitën, por edhe secilin deputet që është i gatshëm të kontribuojë në rrëzimin e garniturës aktuale politike.

«Megjithatë opozita nuk ka siguri në çështjen e numrave» – u shpreh për Gazeta e Re analisti Blerim Burjani. Duke i komentuar orvatjet e opozitës, ai tha që: «Nuk ishte dashtë të pritet deri në shtator. Përkundrazi, në gusht më së largu ishte dashtë të bie qeveria dhe 45 ditë duhen për të organizuar zgjedhjet, pra nuk duhet humbur kohë nëse opozita realisht e ka seriozisht rrëzimin e qeverisë».

Ky hezitim, sipas tij, po reflekton impotencë opozitare, duke treguar qartë që kësaj të fundit i mungojnë numrat dhe se rënia e qeverisë varet vetëm nga PDK.

Nëse shtyhet çështja e mocionit, do të jetë diçka e dëmshme për vendin – tha më tej Burjani. «Nuk jam optimist për sa u përket zgjedhjeve të parakohshme nëse qeveria bie në shtator e zgjedhjet organizohen diku në fillim të nëntorit…» – ky do të jetë një ogur i keq, sipas analistit në fjalë.

Përfundimisht, për sa i përket kësaj teme, sipas Burjanit «qeveria duhet të rrëzohet, më së largu deri më 5 gusht. Por konsideroj gjithashtu që opozita ende nuk i ka numrat, dhe rënia e qeverisë, po ritheksoj, varet nga PDK».

«Ne i kemi të grumbulluara 58 nënshkrime dhe kryetari i LDK-së bashkë me dy liderët tjerë opozitarë ka pasur konsulta për një gjë të tillë. Ka bisedime, por edhe koordinime të mundshme për kohën dhe për momentin e përshtatshëm për procedimin e mocionit edhe me partitë që janë partnerë të koalicionit qeverisës, por që janë parti më të vogla. Kur të jemi të sigurt që i kemi 61 vota ne do ta procedojmë mocionin» , ka thënë për Zërin deputeti nga radhët e LDK-së Naser Rugova.

«Është çështje muajsh» – është shprehur deputetja më e popullarizuar nga radhët e LDK-së Vjosa Osmani, për sa i përket çështjes së rrëzimit. «Nënshkrimet i kemi mbledhur ne, i ka mbledhur edhe VV. Në njërën nga seancat i ka sjell edhe PSD-ja. Janë nënshkrimet e deputetëve të LDK-së, VV-së dhe PSD-së» – ka sqaruar ajo për KTV-në.

Edhe nga disa deputetë të tjerë, është konfirmuar se numri i firmave të deputetëve, si garancë që do të votohet mocioni i mosbesimit, ka arritur në 58. Për ta arritur numrin e duhur, mjaftojnë edhe tri vota./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet