Opozita e gatshme për koalicione parazgjedhore, PDK thotë se nuk frikësohet

LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje janë të gatshme edhe për koalicion parazgjedhor në rast se partitë tjera parlamentare do të veprojnë njëjtë para se të shkojnë në zgjedhje, por preferojnë që të kandidojnë të vetme për të parë përkrahjen e qytetarëve të Kosovës. Këtij koalicioni të mundshëm PDK thotë se nuk i frikësohet dhe se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti. Qëndrim të njëjtë ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike të Kosovës tha se në parim qëndrimi i LDK-së është që çdo parti të shkojë e vetme në zgjedhje, por nëse partitë parlamentare lidhin koalicion parazgjedhor, atëherë do të jenë të interesuar për koalicion opozitar duke nënkuptuar – Vetëvendosjen.

Megjithatë, Gashi tha se qëndrimin për këtë çështje duhet ta japë kryetari i LDK-së.

Gashi: Përgjigjen e jep kryetari i LDK-së, por jemi për koalicion opozitar

“Në princip, Lidhja Demokratike e Kosovës është e interesuar është që të gjitha partitë parlamentare të shkojnë të vetme në zgjedhje. Dhe ky është principi i parë, ne funksionojmë pra partitë parlamentare. Ato parti të cilat janë në parlamentin e Kosovës të shkojnë të vetme në zgjedhje dhe të shohim se cili është rezultati zgjedhor, në bazën e kësaj e kemi legjitimitetin dhe të dijmë që dijmë forcën relative të gjithë secilit, pra të dijmë se sa ka përkrahje secila parti… Për këtë arsyeje ne preferojmë që të shkojmë veç e veç në zgjedhje partitë parlamentare. Nëse kemi koalicione prej partive parlamentare, pra nëse AAK apo PDK ose tjerat vendosin që të shkojnë bashkë, ne normalisht kemi orientimin tonë strategjik, preferojmë koalicion opozitar, thashë se këtë përgjigje e jep kryetari i LDK-së, por mendoj se po nënkuptohet”, tha Gashi.

Për këtë u pajtua edhe deputetja nga Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Ajo gjatë debatit me temën “Çfarë zgjidhje ofrojnë zgjedhjet?”, tha se tha se pasqyra më e qartë se sa subjekte politike kanë përkrahje të qytetarëve, është që të garojnë të vetme.

Në rast të koalicionit parazgjedhor, Haxhiu ka treguar se kush do të jetë bartësi i listës.

Haxhiu: VV nuk do të vendos që postet të bëhen pjesë e ndonjë marrëveshje

“ Ndryshimi i vërtetë në Kosovë vjen kur nga diskutimi jonë hiqen këto emrat e përveçëm apo diskutimet mbi postet. Lëvizja Vetëndosje nuk do të vendos që postet të bëhen pjesë e ndonjë marrëveshje, për shkak se mendoj që kësaj ia kemi parë sherrin. Mendoj që për këtë shembull ka qenë qeverisja e kaluar, ku pa mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, një subjekt i vogël, e merr drejtimin e qeverisjes… Në qoftë se hyjmë si subjekte të vetme, dhe e shohim cilin kandidat, apo cilin subjekt po e mbështesin qytetarët e Kosovës. E dyta me hy në koalicion parazgjedhor pa kandidatë për kryeministër, ai që merr më shumë vota nga kandidatët, a merr Albini, a merr dikush nga LDK, ai le të jetë kandidatë për kryeministër”, tha Haxhiu.

Mes tjerash, Haxhiu deklaroi se dorëheqja e Haradinajt nuk ka ardhur për shkak të ftesës që ka pranuar nga Gjykata Speciale.

Ajo tha se Vetëvendosje e ka kundërshtuar datën 22 gusht për shpërndarje të Kuvendit, pasi sipas saj, partitë që janë kundër këtyre zgjedhjeve edhe mund të përfitojnë gjatë kësaj kohe për të bërë kalkulime.

E, Blerta Deliu-Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se kjo parti është deklaruar që nuk është për harrnim të Qeverisë, por për mbajtje të zgjedhjeve.

Megjithatë, ajo tha se ka pritur korrektësi nga Haradinaj, si partner i koalicionit.

Foli edhe nëse PDK frikësohet nga koalicioni LDK-Vetëvendosje.

Deliu-Kodra: PDK nuk ka vija të kuqe, nuk kemi frikë nga asnjë subjekt politikë

“ Këtu u përmenden koalicione të çuditshme, pikërisht nga kolegët e opozitës, prandaj e thashë që për neve nuk jemi deklaruar asnjëherë për vija të kuqe, pikërisht për këtë fakt. Sepse ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe do të ndodhin edhe tash. Dhe do të ndodhin edhe tash siç po shihen. Janë absolutisht të panatyrshme edhe në pikat programore, edhe në qëndrimet kyqe, për çështje nacionale që subjektet opozitare i kanë, dhe tashmë i dijmë të gjithë. Ne absolutisht nuk kemi frikë nga asnjë subjekt politikë. Dhe do të garojmë si subjekt politikë, i cili në sondazhe përkundër kësaj që sot u tha del shumë mirë….Ne do të shohim se si do të sillen gjërat, sepse jemi shumë herët deri në datën finale”, tha Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra nuk la pa komentuar edhe takimin në mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa me atë të VV-së, Albin Kurti.

E quajti të çuditshëm një koalicion të tillë, derisa sipas saj, kohë më parë këto dy parti kanë pasur debat të ashpër, e sot shtrëngojnë duart duke pirë kafe.

Në këtë debat, Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk e ka përjashtuar mundësinë edhe për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, megjithatë tha se nuk kanë vije të kuqe, sepse në të kundërtën deklarata të tilla, siç tha ai, i demanton koha.

Ai pati fjalë të mira për PSD-në, duke nënkuptuar kështu, koalicion të mundshëm edhe me këtë parti politike.

Isufi: Nuk kemi vija të kuqe

“E kemi thënë që në fillim, nuk kemi vija të kuqe, për shkak se na i demanton koha pastaj. Sepse po ndodhin koalicione edhe kanë ndodhur në Kosovë. E elaborova se kemi përafrime me disa nga partitë, me disa jemi në distancë, gjë që është e kuptueshme, por që vija të kuqe nuk kemi, dhe do t’i përmbahemi këtij parimi për shkak se nuk duam ta demantojmë vetën, gjasat janë të vogla, por nuk duam të themi kurrë, se kurrë në politikë është vërtetuar gjithmonë”, ka thënë Isufi.

Ahmet Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk është në rregull të thuhet që do të garojmë të vetme në zgjedhje, e të takohen çdo ditë për koalicione të mundshme.

Tha se ftesa e Speciales për Ramush Haradinajn ka qenë befasi edhe për vet atë, për çka tha se nuk duhet t’iu mbetet hatri partnerëve të koalicionit që nuk i ka lajmëruar më herët për dorëheqjen.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet