Opozita e bashkuar i dërgon letër Mogherinit, del kundër planeve të qeverisë

Ka kohë që skena politike kosovare duket e përçarë, e luhatur, e paunifikuar. Madje edhe opozita, nuk ka qenë krejt e sinkronizuar në veprimet e saj, ndonëse të gjitha partitë e kanë kundërshtuar qeverinë në iniciativat e saj të fundit, për ta legjitimuar Presidentin Hashim Thaçi në “mission impossible”, në dialog me Serbinë. Por sot, befasisht, të gjitha partitë opozitare janë bërë bashkë dhe i janë drejtuar me anë të një letre Frederica Mogherinit, për t’ia sqaruar gjithë ndodhinë e kundërshtimit të tyre ndaj qeverisë dhe presidencës – shkruan Gazeta e Re.

Një ditë më parë, organizatorët e #Protestoj, njoftuan opinionin që përpjekjet e tyre për t’i mobilizuar qytetarët për të dalë shesheve e për ta ngritur zërin kundër skandaleve të njëpasnjëshme, nuk i kishin dhënë rezultatet e pritura, ndër të tjera edhe për arsyen se partitë opozitare nuk e kishin kuptuar “rëndësinë e momentit dhe situatës për reagim të përbashkët me ç’rast do t’i tejkalonin dallimet e tyre për kauza më të rëndësishme.” Ndonëse sipas tyre, u është bërë ftesë të gjitha subjekteve opozitare, për t’u aktivizuar dhe për ta shfrytëzuar momentin, ato nuk i janë përgjigjur ftesës, dhe përveç Alternativës dhe Partisë Social Demokrate (PSD), të tjerat e kanë injoruar ftesën, duke dhënë për opinionin publik arsye të tjera.

Por sot Avdullah Hoti, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nëpërmjet një njoftimi në facebook ka bërë të ditur që të gjitha partitë opozitare kanë marr një iniciativë dhe i kanë dërguar letër zonjës Federica Mogherini, nëpërmjet së cilës ia kanë “sqaruar qëndrimin e tyre lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.”

Opozita, e cila sipas Hotit përfaqëson “60 për qind të qytetarëve të Kosovës, lidhur me idenë që po diskutohet për shkëmbim të territoreve apo korrigjim të kufijve. Ide këto të cilat nuk do të kenë mbështetje dhe çfarëdo marrëveshje e cila derivon nga ide të tilla nuk do të përkrahen.”

Nëpërmjet kësaj letre, Hoti ka treguar se është kërkuar që: “faza finale e dialogut me Serbinë të bazohet në parime të qarta si dhe në një kornizë të qartë, duke mos lënë anash subjektivitetin shtetëror të Kosovës i cili është përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës.

Fillimi i një procesi të ri të dialogut pa përgatitjet e nevojshme, siç po tenton qeveria aktuale, do të dështojë. Është përgjegjësi e plotë e Kuvendit të Kosovës që të aprovojë platformën për dialog me një shumicë prej 2/3 dhe vetëm në këtë formë mund të sigurohet legjitimitet i këtij procesi. Çdo formë tjetër e zhvillimit të dialogut është e destinuar të dështojë. Është në interesin e qytetarëve të Kosovës që të arrihet një konsensus i tillë brenda Kuvendit të Kosovës.

Qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin për të përfaqësuar Kosovën në këtë proces dhe se një legjitimim i ri i Kuvendit të Kosovës duhet të ndodh sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.”

Deputeti ka sqaruar që qëllimi i opozitës nuk ka qenë ta vë në dyshim rolin e BE-së në proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova, por në vet krerët institucional kosovarë (presidentin, kryeministrin etj), të cilët nuk e kanë mbështetjen e parlamentit, në këtë proces të ndjeshëm politik. Ndërsa, sipas tij, raportet me Serbinë do të ndreqeshin vetëm nëse kjo e fundit do ta njihte Kosovën, në kufijtë e saj aktual:

“Duke vlerësuar lartë rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës besojnë se të dyja duhet të jenë plotësisht të involvuara dhe gjithashtu kërkojnë që marrëveshja përfundimtare me Serbinë të nënkuptojë normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Normalizimi i plotë mund të arrihet vetëm me njohje reciproke. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet t’i mundësojë Kosovës anëtarësim të menjëhershëm në organizatat ndërkombëtare, para se gjithash në OKB, si dhe t’i hapë rrugë anëtarësimit në BE dhe NATO.”

Ky akt, pas dështimit të organizimit të një proteste masive, iniciativë të cilën e nxiti fillimisht një pjesë e shoqërisë civile, (e që pasoi edhe me ftesën e Vetëvendosje-s drejtuar LDK-së), shënon aktin e parë të unifikimit të opozitës. Analistët politikë, pikërisht këtë unifikim e kanë parë si kriter elementar, për të vënë në krizë qeverinë aktuale, përkatësisht për ta rrëzuar nga pushteti dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Këto të fundit janë duke u parë si alternativë e vetme për t’i zhbllokuar institucionet, përkatësisht parlamentin e Kosovës./Gazetaere.com/

Kategoritë
Lajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet