Ofertat ndërpartiake para zgjedhjeve, ende pa domethënie

Në disa emisione televizive, krerë të lartë partish, kanë shpalosur preferencat dhe kanë identifikuar vijat e kuqe me rivalët. Dy subjektet më të mëdha opozitare, ndërmjet të cilave do të zhvillohet “beteja” kryesore për vendin e parë sipas IFIMES-it, në distancë kanë ofruar variante e ide se si do të dukej një pushtet i qeverisur nga ta – shkruan Gazeta e Re.

Analistët vënë në dukje nevojën që partitë opozitare të garojnë krejt të vetme, pa u përfshirë në koalicione parazgjedhore. «Është nevojë e kohës» – thonë ata, se kë preferon tash për tash populli. Por nga ana tjetër, që elektorati të mos ndihet i tradhtuar, është mirë të dihet qysh tash se kush me kë preferon të rreshtohet.

Mund të thuhet që tema e koalicioneve të mundshme, tashmë, edhe zyrtarisht është hapur. Glauk Konjufca – Shef i Grupit Parlamentar i Vetëvendosjes, në një emision televiziv në T7 u shpreh ndër të tjera që «tandemi më i mirë dhe më jetëgjatë qeverisës»  do të ishte ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, me Albinin Kryeministër dhe Vjosa Osmanin Kryetare të Parlamentit!

«Nuk më ka ardhur turp t’ua them këtë kolegëve, madje edhe Vjosa Osmanit. Gjithmonë i kam thënë, Vjosë: je ideale për kryetare të parlamentit. Është një kombinim ideal» – sipas tij. Guximi i Albinit do t’i nënshtrohej observimit parlamentar të Vjosa Osmanit, e cila «ulet lart dhe e merr në pyetje Albin Kurtin e ia tregon atij kornizat e parlamentarizmit. E këta të dy bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.»

Por Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së Avdullah Hoti, ia ka bërë të qartë opinionit se nga kampi i tyre ende nuk ka përfunduar asgjë për sa i përket kandidatit për kryeministër. Për G.Express ai megjithatë e ka vënë theksin te një rregull i pashkruar, sipas së cilit:

«Partisë më të madhe në vend i takon pozita e kryeministrit. Ky duhet të jetë në rregull i pranuar nga të gjithë. Partia më e madhe e ka besimin më të madh të qytetarëve dhe e ka përgjegjësinë më të madhe, prandaj edhe duhet të udhëheqë me qeverinë».

Sipas kësaj logjike, ideali i ithtarëve të VV-së edhe mund të zgjidhet fare lehtë, pas përfundimit të zgjedhjeve. Gjasat që VV të dalë e para në këtë garë, ekzistojnë, por me kusht që të mos ketë rivalë ndonjë koalicion të gjerë si herën e fundit, vënë në dukje njohësit e zhvillimeve.

Për sa i përket vet debatit rreth ‘tandemit Kurti, Osmani’, shumica ende nuk i komenton si variante serioze e të mirëqena.

«Këto diskutime nuk mund t’i marrim si të mirëqena, meqë janë duke ndodhur në distancë» – tha për Gazeta e Re analisti Albinot Maloku. Ndonëse shprehin disponimin e partive në fjalë, ato mund të mos e përcaktojnë rrugëtimin e këtyre partive.

«Së pari do të më pëlqente që t’i shihja këto koalicione të bazuara mbi një program të mirëfilltë politik, e së dyti duke u mbështetur te resurset humane të tyre. Megjithatë, unë nuk mendoj që Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë figura të krahasueshme. Përderisa Albini është një lider i pakontestueshëm tek elektorati i VV-së, Vjosa, mbështetur edhe në atë që ofruan zgjedhjet e fundit të brendshme në LDK, del që nuk përfaqëson një figurë me mbështetje të madhe. Albini ka qenë, përgjithësisht më konsistent, gjë për të cilën nuk mund të themi për Vjosën…» – vijon komentin Maloku.

Përfundimisht sipas tij «VV-së nuk duhet t’i interesojë se kë do ta propozojë për kandidat për kryeparlamentar LDK-ja. Në qoftë se është e gatshme për koalicion me këtë subjekt, më shumë duhet të synojë harmonizimin e programit qeverisës, e pastaj të kalkulojë rreth pozitave.»

Duket që këto diskutime në distancë, janë ca teste që disa parti po ia bëjnë njëra tjetrës. Ato nuk mund të injorohen, por ende s’mund të merren si të mirëqena. Fushatat zgjedhore këtu tek ne, tradicionalisht (këtu  e dy dekada), kanë qenë të gjata, andaj edhe ofertat nuk do të pushojnë deri në ditën e heshtjes zgjedhore. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet