‘Nuk na ka mbetur pikë loti për të qarë fëmijët’

Nënat e Diyarbakirit, të cilat protestojnë përpara Degës Rajonale të HDP-së për rikthimin e fëmijëve të tyre të rrëmbyer në mal nga terroristët, vazhdojnë për 2 muaj grevën e tyre ndenjur në pritje të bijave e bijve të tyre.

Nëna Haxhire Akar (Hacire Akar) më 22 gusht kishte nisur grevën e saj ndenjur para Degës Rajonale të Partisë Demokratike të Popujve (HDP) me pretendimin se HPD-ja kishte ndërmjetësuar për rrëmbimin në mal të djalit të saj Mehmet Akar.

Kjo grevë ndenjur, të cilën nëna Akar e kishte filluar për të mos e lënë birin e saj të bëhet viktimë e terrorit, dha rezultat dhe më 24 gusht ajo u takua me djalin e saj falë përpjekjes së vendosur. Dhe kjo këmbëngulje e nënës Haxhire për djalin e saj u bë shembull edhe për nënat e tjera, të cilat përjetojnë të njëjtën dhimbje dhe u digjet shpirti nga malli që ndejnë për fëmijët e tyre.

Numri i familjeve në grevë u rrit në 55

Me pjesëmarrjen edhe të Fevzije Çetinkaja (Fevziye Çetinkaya), Remzije Akojun (Remziye Akkoyun) dhe Ajeshegyl Biçer (Ayşegül Biçer), të cilat morën si shembull përpjekjen e nënës Akar, numri i familjeve në grevën ndenjur që nisi në 3 shtator është rritur ne 55.

Manifestimi protestues ndenjur i nënave, të cilat vazhdojnë të presin para godinës së partisë gjatë të gjithë ditës me shpresën për t’u takuar sërish me bijat e bijtë e tyre, vazhdon me vizita të ndryshme që bëhen në mbështetje të këtyre nënave.

Ministri i Punëve të Brendshme, Sulejman Sojllu (Süleyman Soylu), ministrja e Familjes, Punës dhe Shërbimeve Sociale Zehra Zymryt Selçuk (Zehra Zümrüt Selçuk), familje dëshmorësh, politikanë, artistë, gazetarë, shkrimtarë, përfaqësues të OJQ-ve, qytetarë nga të gjitha grupet e shtresat e shoqërisë vazhdojnë të vizitojnë familjet e pikëlluara që janë mbledhur në Diyarbakir, të ndajnë dhimbjen e këtyre familjeve dhe të shprehin mbështetjen ndaj tyre.

Manifestimin protestues ndenjur nënat e vazhdojnë duke mbajtur në duar fotografitë e fëmijëve të tyre dhe presin rikthimin e bijave e bijve të tyre, për të cilët i ka marrë malli shumë.

“Na kanë shuar dritën e jetës”

Nëna Imihan Nilifirka (İmmihan Nilifırka), e cila ka ardhur në Diyarbakir nga Stambolli dhe ka marrë pjesë në grevën ndenjur për djalin e saj, Mehmetin, që është rrëmbyer në mal (nga organizata terroriste) 4 vite më parë, thotë se dëshira e saj e vetme është të takohet sërish me djalin e saj.

E di, djalin tim e ka rrëmbyer HDP-ja. Duam të më rikthejnë djalin, nga i cili nuk kemi marrë as një lajm, e as një telefonatë. Të gjithë si familje jemi të vdekur. Na rrëmbyen djalin, na e nxinë jetën. Në sy nuk na ka mbetur më as edhe një pikë loti që të qajmë djalin tonë. Çfarë deshën nga djali im? Djali nuk mund të vriste as edhe një milingonë, ishte një nxënës i suksesshëm”, thotë nënë Nilifirka, e cila akuzon HDP-në për rrëmbimin e djalit të saj në mal.

Ne kemi 2 muaj që e vazhdojmë grevën ndenjur, vazhdon nënë Nilifirka dhe shton se familjet presin një deklaratë nga HDP-ja.

Të dalin dhe të na bëjnë një deklaratë. Nëse edhe ata janë kurdë, të vijnë dhe të ulen këtu bashkë me ne. E ç’më duhen mua kurdë të tillë. Edhe unë jam kurde. Të mos e përdorin djalin tim për konsum politik. Ata i kanë grabitur djalit tim lirinë, të ardhmen”,- thotë nënë Nilifirka ndërsa shpreh dhimbjen që i vjen brenda shpirtit.

“Ne do ta vazhdojmë deri në fund grevën tonë”, thekson nënë Nilifirka.

“Nuk do të shkojmë në asnjë vend pa marrë bijat e bijtë tanë”

Edhe nëna e 5 fëmijëve Fatma Bingël (Fatma Bingöl), e cila i është bashkuar nga Stambolli manifestimit protestues ndenjur për djalin e saj 14-vjeçar, Tunxhain (Tuncay), i cili është rrëmbyer 5 vite më parë për ta çuar në mal (ku ka kampet organizata terroriste), thotë se dëshira e vetme e saj është të takohet sërish me djalin e saj, për të cilin e ka marrë shumë malli.

U bënë 5 vite që nuk e kam parë më djalin tim. Të na i rikthejnë fëmijët. Të mos presin më këtu gjithë këto nëna. Është turp, është mëkat që kaq shumë nëna të vazhdojnë të presin këtu. Askush nuk ka të drejtë që ti hidhërojë, ti bëjë të qajnë kaq shumë nëna, t’u shkaktojë atyre kaq shumë dhimbje. Të gjitha jemi kapur fort dorë pas dore me njëra-tjetrën dhe nuk do të ikim nga këtu pa i marrë bijat e bijtë tanë edhe sikur të na vrasin. Nuk kemi frikë as nga vdekja”, tha ajo.

“Ta shikojnë të gjithë se me çfarë mizorie sillet PKK-ja ndaj kurdëve”

Songyl Alltëntash (Songül Altıntaş), e cila ka hyrë në grevë për djalin e saj, Myslymin (Müslüm), që është rrëmbyer nga terroristët në rrethinat e qytezës Pylymyr (Pülümür) të Tunxhelisë (Tunceli) më 2 tetor 2015, ndërsa ishte duke shkuar në njësinë ushtarake për të kryer detyrën e mbrojtjes së atdheut, rrëfen se ajo ka 4 vite që nuk e ka parë më dhe nuk ka marrë asnjë lajm për djalin e saj.

Ne kemi 60 ditë këtu, do të qëndrojmë edhe 60 vite të tjera. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë ndenjur këtu deri sa të vijnë fëmijët tanë”,- thekson Alltëntash dhe u bën thirrje nënave dhe baballarëve që i kanë bijat e bijtë e tyre në mal që t’i bashkohen grevës.

Ka ardhur momenti që nënat kurde të zgjohen tashmë. Pasi po i humbasin bijat e dhe bijtë e tyre para syve. Të zgjohen dhe të shikojnë se me çfarë mizorie sillet PKK-ja ndaj kurdëve. Atyre (PKK-së) nuk u dhimbsen as nënat, as baballarët dhe as fëmijët. Tani ata duhet ta shikojnë dhe kuptojnë këtë. Armiku i vetëm për ne është PKK-ja”, thotë Alltëntash.

“Nuk do të ikim nga këtu pa më ardhur vajza”

Babai Jasin Kaja (Yasin Kaya), i cili është përfshirë në këtë grevë nga provinca Arë (Ağrı) për vajzën e tij, Çidem (Çiğdem), që është rrëmbyer ne mal 4 vite më parë në moshën 17-vjeçare, thotë se vazhdojnë të presin këtu për bijën e tyre.

Bashkë me të gjitha nënat dhe baballarët që marrin pjesë në këtë grevë unë do të vazhdoj të pres bijën time”,- rrëfen Kaja dhe shton:

“Ne presim një deklaratë. Ne nuk do të largohemi prej këtu pa më ardhur vajza. Ata thonë se janë kurdë, por në fakt ata nuk janë kurdë. Kurdë jemi ne. HDP-ja, që e ka rrëmbyer fëmijën tonë në mal, le të vijë këtu dhe të deklarojnë: “Mallkuar qoftë PKK-ja!”, “Ne nuk jemi me PKK-në”, dhe pastaj ne tërhiqemi dhe shkojmë. Ne akuzojmë ata (HDP) për gjithë këto”, shprehet babai i pikëlluar.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet