“Nuk dua përballje me vëllezërit tanë, shpresoj që Kosova të fitojë”, Manaj flet pas fitores ndaj Andorrës
Sulmuesi Rey Manaj është ndarë i lumtur me kualifikimin në play-offin e Kampionatit Botëror, por njësoi si Armand Duka, ai nuk dëshiron të përballet me Kosovën.
Manaj thotë se e tërë vëmendja e Shqipërisë tani është për muajin mars, pasi synimi u arrit me sukses, pra kualifikimi për play-offin e Botërorit.
“Ne kemi arritur në play-off, kemi bërë paraqitje të mira gjatë këtij cikli. Kemi ndeshjen me Anglinë, por vëmendja do të jetë në mars. Shpresojmë që të mos përballemi me Kosovën. Nëse njëra prej tyre e siguron kalimin, nga njëra anë do të jemi të mërzitur dhe nga tjetra do të gëzoheshim që shqiptarët do të ishin në Botëror”.
“Kosovarët janë vëllezërit tanë, do t’i shikojmë pasnesër. Shpresojmë në fitoren e tyre”, tha Manaj ndër të tjera.
Kujtojmë, në rast ndonjë befasie në Tiranë – pra që Shqipëria të triumfojë ndaj Anglisë, atëherë do të ngjitëshin në vazon e dytë të play-offit së Botërorit.


















