Një fushatë për ndërgjegjësim kundër kancerit të gjirit

Edhe Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në parakalimin që është organizuar në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese, në luftën kundër kancerit të gjirit. Ecjes tradicionale i janë bashkangjitur edhe figura të njohura të skenës publike, ku ndër të tjera u bë thirrje për një ngritje më të lartë të vetëdijes, karshi rrezikut të lartë – shkruan Gazeta e Re.

Organizatorët  e Jeta/ Vita, ndryshe Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, ka ditë që u kanë dërguar mesazhe nëpërmjet operatorëve mobil, qytetarëve të Kosovës, duke kërkuar nga të gjithë që t’u bashkohen në marshimin tradicional, në muajin e luftës ndaj kancerit të gjirit. Motoja “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”,  bashkoi jo vetëm qytetarë, por edhe figura të rëndësishme të skenës politike e shoqërore.

“Kanceri i gjirit është quajtur edhe vrasës i heshtur ,vrasës i pamëshirshëm pasi merr për çdo vit me miliona jetë në mbarë Botën. Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë prej sëmundjeve kanceroze te gratë. Njëkohësisht është shkaktari më i shpeshtë i vdekjes te gratë e moshës 45-55 vjeç” – vë në dukje specialistja dhe gjinekologia Dr. Samire Ademi Lutolli, në një artikull të publikuar në ‘Familja dhe Shëndeti’.

“Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës, sidomos moshat mbi 50 vjeç. Kuptohet kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja. Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh” – paralajmëron doktoresha Lutolli.

Trendi i rritjes së numrit të të atakuarave nga kjo sëmundje e rrezikshme, ka bërë që në mbarë botën të organizohen fushata nëpërmjet të cilave gratë do të vetëdijesoheshin për rrezikun e lartë që u kanoset.

“Për këtë mos neglizhoni diagnostikimin e hershëm. Kontrollet e rregullta te mjeku dhe diagnostikimi i hershëm kanë 100% mundësi për shërimin e plotë” – thotë doktoresha Lutolli.

Edhe sot, në fjalimet që u mbajtën nga organizatorët dhe të ftuarit e tjerë, u përsëritën këto thirrje. Vet kryeministri Haradinaj, përveç që i përgëzoi gratë të cilat e kanë mundur këtë “sëmundje” të keqe, tha që vetëdija ndaj rrezikut të lartë që u kanoset atyre, po vjen duke u ngritur.

“Jo çdo herë personi vet merr vendimin. Shumë herë vendimin për të mund ta marrin familja, ata që qëndrojnë më së afërmi. Duhet t’i inkurajojmë femrat, ato në qytete dhe zona rurale, që të marrin guximin njerëzor, të besojnë dhe të veprojnë me kohë”, tha ndër të tjera Kryeministri Haradinaj.

Fjalime të ngjashme mbajtën edhe edhe Arben Bislimi nga Shoqata e Onkologëve, Nafije Latifi, themeluese e Qendrës ‘Jeta/Vita’, ish presidentja Atifete Jahjaga dhe ministrja Dhurata Hoxha.

Ua kujtojmë që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), numri i të sëmurëve nga kanceri i gjirit pritet të shumëfishohet viteve në vijim. Shifrat mund të ndryshojnë nga 14 milionë, sa ishin në vitin 2012, në 24 milionë në vitin 2035. Për rrjedhojë, edhe numri i të vdekurve do të mund të shkojë nga 8.2 milionë, në 13 milionë. Mjekët thonë që faza e inkubacionit te shumë pacientë, mund të mos hetohet fare, ndërsa kjo sëmundje nuk i atakon vetëm gratë./Gazetaere.com/

Kategoritë
FamiljeLajmeLajmet KryesoreShëndetësiTema e Ditës

Të ngjajshmet