Një fabrikë në Gjakovë nis prodhimin e maskave, një tjetër do të prodhojë dezinfektues

Në kohën kur Kosova po ballafaqohet me mungesë të pajisjeve mbrojtëse nga koronavirusi, një kompani nga Gjakova ka filluar me prodhimin e maskave mbrojtëse, raporton Koha.

Mbi 50 punëtorët e kësaj fabrike për dy ditë kanë prodhuar 5 mijë copë maska. Por, kërkesat për t’u pajisur me to janë përtej kapaciteteve që fabrika ka.

Rudina Haxhidauti, zyrtare për media në fabrikën “Eximtex-Jatex”, ka thënë se fillimisht kanë prodhuar maska për mjekët, policët dhe institucionet tjera publike në Gjakovë, por furnizimi do të zgjerohet edhe në komuna tjera.

Për t’u qëndruar pranë institucioneve në situatën e krijuar pas koronavirusit, punëtorët e kësaj fabrike po punojnë me dy ndërrime.

Edhe një fabrikë që merret me prodhimin e shamponit ka thënë se janë bërë gati për prodhimin e dezinfektuesve për duar, por që ende nuk u ka arritur lënda e parë.

Sipas përfaqësuesve të bizneseve, edhe fabrika të tjera kanë shprehur interesim për prodhimin e produkteve bazike për furnizimin e nevojshëm të qytetarëve.

Bizneset janë deklaruar se momentalisht ka mjaftueshëm furnizime me produkte bazike dhe se nuk ka mungesa në treg.

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi

Të ngjajshmet