Një ditë para stuhisë

Një ditë përpara shpërndarjes së kuvendit, askush më nuk po e vë në dyshim këtë gjë. Disa subjekte politike frikësoheshin që PDK do të gjejë mënyra që t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme me çfarëdo çmimi, por duket që kjo nuk do të realizohet. Së fundi edhe drejtuesit e këtij subjekti po shprehen të gatshëm që t’i futen garës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare – shkruan Gazeta e Re.

“Fenomeni” i cili pritet të përsëritet në skenën aktuale politike, është ai i koalicioneve. Ditë më parë një i tillë ndërmjet AAK-së dhe PSD-së veç ndodhi. Por skena duket e tensionuar me krerët e partive të cilët nëpër vapë po vrapojnë ta takojnë njëri tjetrin.

«Partitë e vogla pashmangshëm duhet të bëjnë koalicione përballë partive të mëdha, për t’u renditë me mirë me rezultate zgjedhore. Kosova në këtë sistem zgjedhor nuk do të ketë asnjëherë parti të mëdha që mund të udhëheqin pa parti të vogla dhe pa minoritete, prandaj patjetër që do të hyjnë në koalicione»  – komentoi për Gazeta e Re analisti Blerim Burjani.

Por sipas tij, më e mira do të ishte që  «partitë të profilizohen dhe të reflektojnë edhe interesin qytetar. Garimi i vetëm për vetëm nga subjektet që janë më të mëdha, është rezultat i besimit të tepruar, nuk do të ketë dalje të qytetarëve me shume se 35%, demokracia është në rrezik, pak e hiq nuk ka vullnet të dalin në zgjedhje ku riciklohen hajnat e parasë publike, dhe nepotistët e të korruptuarit dhe për të punësuar njerëz me anë të politikës. Larg është demokracia në Kosovë.»

Duke e ndjekur këtë shembull, Ramush Haradinaj, kryeministër në ikje, duket që do që t’i fus nën ombrellën e tij edhe disa subjekte të tjera, më të vogla politike. Me kreun e NISMA-s Fatmir Limajn, veç janë takuar, duke paralajmëruar që një marrëveshje ndërmjet tre nuk është hiç larg.

Nga ana tjetër, edhe pse i kanë rregulluar raportet prej kohësh, LDK-ja po heziton t’i jap përgjigje të shpejt LVV-së. Për këtë gazetari dhe analisti Astrit Gashi konsideron që kjo e fundit ka shumë arsye që po insiston për ta arritur një marrëveshje sa më shpejt:

«Kërkesa e VV-së ndaj LDK-së që sa më shpejt të vendoset nëse do të shkojnë në koalicion bashkë apo ndaras është shumë e drejtë. LDK nuk bënë mirë që këtë kërkesë ta sheh si imponim apo si kërcënim.
Njëra nga sfidat që kanë koalicionet parazgjedhore është harmonizimi i brendshëm mes tyre dhe pastaj edhe dalja në harmoni tek elektorati të cilit i kërkojnë votë. Për t’u arritur kjo lypet kohë andaj çdo moment i humbur është edhe votë e humbur».

Sipas tij, vonesat mund të kenë pasoja për të dy partnerët, nëse koalicioni arrihet me vonesë:

«Nëse analizojmë zgjedhjet e fundit, koalicionet që u bënë ditën e fundit para nisjes së fushatës, dështuan në vote edhe për shkak se ishin të pa-harmonizuara brenda tyre dhe të tilla dilnin edhe para elektoratit i cili i hutuar pastaj disa parti ( me se shumti ato që nuk e kishin bartësin e listës ose kandidatin për KM) i ndëshkoi ose me mos dalje fare ose duke e votuar dikën tjetër.

A ju kujtohet dikujt paraqitja e parë publike e PAN-it me shumë e sulmonin njëra- tjetrën se opozita.
Gjithashtu koalicioni AAK- PSD i cili tash ka kohën e plotë për t’u harmonizuar dhe për të bërë fushatë të fortë, nuk len kohë për komoditet tek të tjerët. LDK në tërësi është duke u vonuar, prandaj kërkesën e VV-së duhet ta sheh me shumë si apel sesa si kërcënim. Nganjëherë mundesh me qenë më i miri dhe më i forti, por po u vonove nuk të mjafton. Diçka si në Formula 1, ka rëndësi edhe kush niset i pari. Këtu AAK dhe PSD tash janë në pritje për t’u nisur. LDK nuk bënë të vonojë as veten dhe as VV-në» – përfundon ai.

Sipas deklarimeve publike, edhe zyrtarët e AKR-së janë të disponuar për bashkëpunime, ndonëse pesha e tyre elektorale është vënë në pikëpyetje kohëve të fundit. Sido që të jetë, analistët konstatojnë që ajo nuk do të mbetet e vetme, pak nga frika e pragut zgjedhor, e më shumë për t’i kontribuar krijimit të perceptimit se: po krijohet edhe një koalicion i ri, e po fuqizohet një entitet i ri politik.

Të heshtur, e larg mundësive të tilla për bashkëpunim, duket që do të mbesin PDK-istët. Shumë nga subjektet i kanë vënë vija të kuqe partisë së Kadri Veselit, e cila po përpiqet që hendekun elektoral ndërmjet tyre dhe subjekteve të tjera ta tejkalojë me një fushatë intensive në terren./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet