Një 29-vjeçare shtatzënë, vdes nga coronavirusi në QKUK

Një 29-vjeçare shtatzënë, ka vdekur nga coronavirusi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Rasti është bërë i ditur nga QKUK.

“Mund t’ju konfirmojmë informacionin se një grua shtatzënë (1991) ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror rreth orës 3:00 të mëngjesit të sotëm”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Sipas tyre, ajo ka qenë shtatzënë në javën e 27-të, dhe ndonëse ka qenë nën monitorimin e konziliumit mjekësor, nuk është arritur të shpëtohet as foshnja.

Gruaja ishte pranuar fillimisht në Klinikën e Gjinekologjisë javën e kaluar, por në të njëjtën ditë ishte transferuar në Klinikën Infektive e tre ditë më vonë në Mjekimin Intensiv Qendror ku ishte intubuar për shkak të gjendjes së rëndë.

Kjo është shtatzëna e dytë që ka humbur betejën me coronavirus në Kosovë.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, njoftoi të enjten se gjatë 24 orëve të fundit 15 pacientë kanë vdekur dhe janë regjistruar 775 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 4 raste (76, 66, 56, 52 vjeç), Prishtinë 2 raste (78, 66 vjeç), Ferizaj 1 rast (78 vjeç), Gjilan 1 rast (80 vjeç), Klinë 1 rast (76 vjeç), Suharekë 1 rast (77 vjeç), Pejë 2 raste (71, 64 vjeç), Vushtrri 1 rast (72 vjeç), Gjakovë 1 rast (69 vjeç) dhe Podujevë 1 rast (87 vjeç)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Shifrat e rasteve të reja dalin pas testimit të 1.903 mostrave.

IKSHPK po ashtu njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 553 pacientë, duke çuar në total 22. 690 numrin e të shëruarve.

Që prej 13 marsit – kur u paraqitën rastet e para me koronavirus – në Kosovë janë regjistruar 37.028 raste me COVID-19.

Prej tyre 963 pacientë kanë vdekur.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi