Nigeri, lirohen nxënësit pas mbi një jave në robëri

Qeveria njoftoi kthimin e sigurt të 42 personave, përfshirë 27 nxënës, të rrëmbyer nga shkolla me konvikt më 17 shkurt

42 persona, përfshirë 27 nxënës, të rrëmbyer nga persona të armatosur nga një shkollë me konvikt në Nigeri mbi një javë më parë, janë lënë të lirë, konfirmuan zyrtarët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një bandë e armatosur rrëmbeu 27 nxënës, tre punonjës dhe 12 anëtarë të familjeve të tyre pasi mësynë Kolegjin Shkencor të Qeverisë në Kagara, një rreth në Shtetin veri-qendror Niger në orët e para të 17 shkurtit.

“Nxënësit e rrëmbyer, stafi dhe familjarët e Kolegjit Shkencor Qeveritar Kagara kanë rifituar lirinë e tyre dhe janë pranuar nga Qeveria e Shtetit të Nigerit”, tha Guvernatori Abubakar Sani Bello në Twitter.

Një zyrtar lokal në shtetin Niger tha për AA se ata u lanë të lirë pas disa ditësh negociata me rrëmbyesit.

Të rrëmbyerit u morën nga zbatuesit e ligjit sot në mëngjes dhe u sollën në Minna, kryeqytetin e Shtetit Niger.

Presidenti Mohammadu Buhari përshëndeti personelin e sigurisë për lirimin e grupit dhe drejtoi forcat e armatosura të vendit për të siguruar “lirimin e menjëhershëm” të të gjithë personave të rrëmbyer.

Zhvillimi erdhi një ditë pasi mbi 300 nxënëse u rrëmbyen nga një shkollë me konvikt në shtetin veriperëndimor Zamfara.

Ushtria dhe policia nigeriane kanë filluar një operacion për të shpëtuar vajzat e rrëmbyera në sulmin e së premtes në shkollën e qytetit Jangebe.

Kategoritë
BotaLajme