Ngritet flamuri i Maqedonisë së Veriut para selisë së NATO-s në Bruksel

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenber, tha se Maqedonia e Veriut tani ka miqtë dhe aleatët më të mirë në botë.

Me intonimin e himnit të Maqedonisë së Veriut para selisë së NATO-s në Bruksel është ngritur flamuri i vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e ngritjes së flamurit të pranishëm ishin sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Stuart Peach, si dhe i ngarkuari me punë në Delegacionin e Maqedonisë së Veriut në NATO, Zoran Todorov.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në fjalimin e tij para ceremonisë së ngritjes së flamurit tha se ky moment po ndodh pas shumë viteve të përkushtimit dhe angazhimit në reforma.

Gjatë fjalimit të tij, Stoltenberg kujtoi se Maqedonia e Veriut dhe Greqia kanë arritur një kompromis historik për çështjen e emrit.

“Në kohëra të këtilla, miqtë dhe aleatët janë më të rëndësishëm se kurrë, ndërsa Maqedonia e Veriut tani ka miqtë dhe aleatët më të mirë në botë. Ne të bashkuar jemi të gjithë më të sigurt dhe më të fortë se të vetmuar. Për këtë, mirëseerdhët në NATO”, tha Stoltenberg.

Ai gjithashtu përshëndeti vendimin e Bashkimit Evropian (BE) për të filluar bisedimet me Maqedoninë e Veriut.

Përfaqësuesi i Delegacionit të Maqedonisë së Veriut në NATO, Zoran Todorov, tha se ky është një moment historik për vendin dhe qytetarët e tij.

“Këtu ne qëndrojmë me vendosmëri dhe qëndrueshmëri para selisë së NATO-s, më në fund me të gjithë aleatët. Flamuri ynë valvitet së bashku me 29 flamujt e tjerë të NATO-s”, tha Todorov, duke theksuar se me anëtarësimin në NATO e ardhmja e Maqedonisë së Veriut do të jetë e qëndrueshme, e sigurt dhe e prosperuar.

Todorov gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut është plotësisht e përgatitur të zë vendin e saj në organet dhe strukturat e NATO-s dhe të kontribuojë në funksionimin e suksesshëm të organizatës.

Ceremoia përfundoi me intonimin e himnit të NATO-s, ndërsa përmes video-lidhjes e ndoqi edhe kryeministri i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski.

Në fjalimin e tij pas përfundimit të ceremonisë, Spasovski kishte fjalim në të cilin tha se Maqedonia e Veriut ka arritur suksesin më të madh pas pavarësimit.

“Flamuri i Maqedonisë së Veriut është ngritur me krenari sot rreth flamujve të familjes së Aleatëve të NATO-s. Rruga ishte e gjatë, por kemi merituar shpërblimin që erdhi sot me shikimin e flamurit të vendit tonë në selinë e NATO-s”, tha Spasovski.

Flamuri i Maqedonisë së Veriut është ngritur njëkohësisht edhe në Operacionet e Komandës Aleate në Mons të Belgjikës, si dhe në Komandën Aleate të Transformimin në Norfolk të SHBA-ve.

Kujtojmë se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 27 mars deklaroi se Maqedonia e Veriut është bërë anëtarja e 30-të e aleancës pas përfundimit të të gjitha procedurave zyrtare.

Protokolli i pranimit midis NATO-s dhe Maqedonisë së Veriut u nënshkrua më 6 shkurt të vitit 2019. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin e ratifikimit të Traktatit Veri-Atlantik në një seancë solemne më 11 shkurt të këtij viti.

Më 12 korrik të vitit 2018 në Samitin e NATO-s në Bruksel, Maqedonia e Veriut mori thirrjen për t’u bërë anëtare e Aleancës, por pas nënshkrimit të protokollit të pranimit midis NATO-s dhe Maqedonisë së Veriut shkurtin e vitit të kaluar, procesi i ratifikimit të këtij protokolli filloi të nënshkruhet në parlamentet e vendeve anëtare të Aleancës dhe u finalizua më 17 mars me ratifikimin e protokollit në parlamentin e Spanjës.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet