Ngecjet e Kosovës, mbetet e fundit në rajon në shumë aspekte

Një ekonomi jostabile, me rënie të shpeshta, e kriza të njëpasnjëshme, ka ardhur si pasojë e jostabilitetit politik në vend, thonë njohësit fushës. Pavarësisht miratimit të infrastrukturës ligjore, krijimit të kapaciteteve institucionale, vështirësitë nuk kanë mundur të tejkalohen, ndërsa vijon të mbetet një ndër vendet me BPV-në më të ulët edhe në rajon. Nga ana tjetër, në historinë e shkurtër shtetformuese, privatizimi i ndërmarrjeve publike, ka mbetur si një prej proceseve më të diskutuara dhe me më së shumti pasoja për ekonominë e vendit – shkruan Gazeta e Re.

Ndonëse sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Bruto Produkti Vendor (BPV-ja), për tremujorin e dytë të këtij viti shënon rritje reale për 4.7% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit të shkuar, vlera e BPV-së mbetet më e ulëta në rajon.

“BPV-ja në TM2 të vitit 2018 shënon rritje reale për 4.7% në krahasim me TM2 të vitit 2017. Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon:

aktivitetet financiare dhe të sigurimit (33.1%); industria nxjerrëse (6.5%); tregtia me shumicë dhe pakicë (5.6%); ndërtimtaria (5.2%); transporti dhe magazinimi (5.1%); administrimi publik (5.0%); hotelet dhe restorantet (3.5%); afarizmi me pasuri të patundshme (2.0%); bujqësia, gjuetia, pylltaria (0.9%); industria përpunuese (0.2%)” –thuhet në raportin e rregullt të ASK-së.

I njëjti raport i nxjerr në pah edhe ngecjet në disa sektorë:

“Ndërsa, rënie reale kishte në të dhënat e: furnizimit me energji elektrike, ujë dhe trajtim të mbeturinave (4.2)%. BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje në: formimin e bruto kapitalit (12.2%); eksportin e mallrave dhe shërbimeve (12%); importin e mallrave dhe shërbimeve (11.7%); shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (4.7%); shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe institucionet jo përfituese në shërbim të ekonomive shtëpiake (IJPSHESH) (4.4%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak” – thuhet në raportin e rregullt të ASK-së.

Ekspertët vënë në dukje se përkundër kësaj rritjeje, mirëqenia e qytetarëve të Kosovës, nuk ka pësuar ndonjë ndryshim thelbësor për të mirë.

“Pa mirëqenie nuk mund të fitosh as shkollim, dije, shërbim social, shoqëror dhe as arsimor” – citohet të ketë thënë për REL, Blerim Ramosaj, profesor i ekonomisë në UP, duke shtuar se efektet e kësaj rritjeje do të mund të vërehen tek në të ardhmen.

Por efektet domosdo ndërlidhen me konsekuencat e mungesës së zbatimit të ligjit dhe mekanizmave të tjerë kontrollues. Kosova, po ashtu, nuk ka një industri të zhvilluar, prandaj edhe tregu i saj gjysmë i mbyllur, nuk mund të gjenerojë të ardhura të mëdha e as vende të punës, të cilat do ta ndihnin përmirësimin e pozitës socio-ekonomike të qytetarit të saj.

Privatizimi, si një ndër proceset më të diskutuara në Kosovë, sipas të dhënave, nuk ka rezultuar të jetë një strategji në dobi të ekonomisë së vendit. Mënyra se si është realizuar, sipas njohësve të fushës, del të ketë qenë fatale për industrinë (edhe ashtu të rrënuar nga lufta), kosovare. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), del që, që nga fillimi i procesit të privatizimit e deri më tash, 1530 ndërmarrje shoqërore (NSH) në vlerë prej 593 milionë euro janë blerë nga biznesmenë kosovarë, derisa vetëm 34 NSH në vlerë prej 100 milionë euro janë blerë nga biznesmenë të huaj, ndryshe nga ç’është deklaruar nga udhëheqësit relevantë të institucioneve.

 

Por, ndryshim radikal, ndërkaq, mund të ketë pas heqjes së regjimit të vizave për Kosovën, akt që pritet të ndodh së shpejti sipas Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Duke qenë pjesëmarrës në Takimin e Nivelit të Lartë Për Sundim të Ligjit, ndër të tjera tha që çështja e liberalizimit dhe e migrimit, janë preokupime sa të BE-së po aq edhe të qeverisë së tij. Ai madje ka lavdëruar punën e qeverisë duke thënë se për çështje të migracionit, kanë bërë punë të madhe.

Sipas tij, që nga  viti 2015 deri më sot, fluksi i azilkërkuesve nga Kosova në BE ka rënë për 95%. Por përkundër kësaj, pas liberalizimit, migrimi, mund të sjell jo vetëm ndryshime eventuale të demografisë por edhe vlerës së BPV-së. Duhet të theksojmë që në vendet evropiane, sipas të dhënave, PBV-ja për kokë banori ka vlerën 29, 396 euro, diçka që tregon se vendi ynë është larg prej objektivave të dëshiruara në aspektin e stabilizimit ekonomik në vend./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet