Netanyahu: Diskutova me Trump aneksimin e Luginës së Jordanit

“Biseduam edhe për mundësinë historike që Lugina e Jordanit të njihet si kufiri lindor i Izraelit”, tha Netanyahu.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se në një telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump temë diskutimi ka qenë edhe aneksimi i Luginës së Jordanit, rajon në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur para gazetarëve gjatë një vizite në qytetin Ashkelon, Netanyahu tha se në bisedën e djeshme që e ka zhvilluar me Trump, kanë biseduar për “çështje të rëndësishme” për sigurinë e Izraelit.

“Biseduam edhe për mundësinë historike që Lugina e Jordanit të njihet si kufiri lindor i Izraelit, si dhe në lidhje me Marrëveshjen e Mbrojtjes Reciproke midis SHBA-së dhe Izraelit”, deklaroi Netanyahu, duke theksuar se gjatë bisedës telefonike janë diskutuar tema të ndryshme, përfshirë edhe Irani.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë tha më herët në një deklaratë se dy liderët kanë biseduar për “kërcënimin iranian”, duke mos dhënë asnjë informacion nëse aneksim i Luginës së Jordanit ka qenë temë diskutimi.

Ndryshe, kryeministri izraelit Netanyahu kishte premtuar para zgjedhjeve të 17 shtatorit se nëse fiton zgjedhjet, “brenda një kohe të shkurtër” do t’ia aneksonte Izraelit Luginën e Jordanit në koordinim me qeverinë amerikane.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet