Nepotizmi është krim dhe ai është i ndëshkueshëm sipas ligjeve në fuqi

Politikanët që i punësojnë familjarët e tyre, me vetëdije shkelin Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe Ligjin e Punës. E drejta e punës, nuk guxon t’u cenohet qytetarëve (pavarësisht preferencave politike), ndërsa Kodi Penal i Republikës së Kosovës, parasheh dënime për ata që i shkelin ligjet dhe normat në fuqi – shkruan Gazeta e Re.

Për befasi, disa nga protagonistët e skandaleve të punësimeve masive në institucionet publike, kanë guxuar të dalin publikisht dhe t’i mbrojnë ato. Ndonëse përpara kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, qytetarët e vendit shihen si të barabartë, në kuptimin e realizimit të së drejtës së punësimit, kjo gjë po reflekton ndryshe në praktikë.

Më të përfolurit janë disa zyrtarë të AAK-së, duke përfshirë këtu vet Kryeministrin Ramush Haradinaj. Ky i fundit ka nxituar të mbrohet, ku me deklarimet e tij është përpjekur që ta relativizojë sa më shumë skandalin. Atij i kanë ndihmuar edhe disa deputetë nga partia e tij, duke thënë se meqë subjekti i tyre nuk ka qenë pjesë e pushtetit për një kohë të gjatë, anëtarët e partisë, kanë qenë të diskriminuar për sa i përket të drejtës së punësimit.

Megjithatë, këto janë cilësuar si skandaloze nga njohësit e jurisprudencës. Juristi Durim Berisha për Gazeta e Re ka thënë se: “Deklaratat publike të politikanëve në Kosovë rreth punësimit të familjarëve dhe militantëve të partisë janë shqetësuese dhe të papranueshme për një shoqëri që emërton vetën si normale. Ndonëse legjislacioni kosovar parasheh sanksionimin e veprimeve të tilla, klima e pandëshkueshmërisë e krijuar në Kosovë, sidomos pas aferës “Pronto 1” dhe “Pronto 2”, e ka kthyer çështjen e kriminalitetit në procesin e rekrutimit të pagamarrësve publikë në një çështje rutine. Politika është e vetëdijshme se pikërisht mbi baza jomeritore i ka përzgjedhur prokurorët dhe gjyqtarët në të gjitha instancat. Prandaj këta të fundit, përpos mungesës totale të përgatitjes profesionale, janë po ashtu në shërbim të plotë ndaj padronëve politikë që i kanë punësuar aty.”

Por sipas tij, ekziston një infrastrukturë ligjore, e cila në parim i ndalon këto veprime, por në rastin konkret “nuk është problemi te rregullimi ligjor, por të mungesa e zbatimit të tyre. Mjerisht për vite me radhë është punuar në atë drejtim që të zhvlerësohet profesioni i juristit. Politika i ka kthyer fakultetet juridike në makineri të prodhimit të diplomave si këmbim për vota gjatë fushatave elektorale, duke i zhveshur nga elementi pedagogjik i cili përpos përgatitjes profesionale nënkupton edhe ndërtimin e etikës së juristëve. Profesionet juridike duhet të përcillen me ndjenjën e përgjegjësisë dhe jo të shihen vetëm si vende pune që burojnë të ardhura për ekzistencën personale. Prandaj për aq kohë sa militantët e pajisur me diploma si këmbim për votat e mbledhura vazhdojnë të zgjidhen prokurorë dhe gjyqtarë, zbatimi i ligjit në Kosovë do të mbetet vetëm një dëshirë e të shtypurve.”

Juristë e avokatë, i kujtojnë bazat kushtetuese e ligjore, sipas së cilave, e drejta e punës, u garantohet të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake. Madje, madje sipas këtyre referencave, nepotizmi është edhe i ndëshkueshëm.

Neni 49 i Kushtetutës së Kosovës, ku flitet për të Drejtën e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit, në mënyrë specifike pika 1 dhe 2 sqaron që: “E drejta e punës garantohet”; dhe se: “Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.”

Ndërkaq Ligji i Punës,  përkatësisht Neni 8, rregullon për mrekulli çështjen e punësimit.

“Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie pune” – thotë pika e parë e këtij neni. Ndërsa pika e dytë në vijim, vë theksin në barabarësinë e të gjithë kandidatëve për vendin e punës, duke mos i lënë hapësirë asnjë lloj diskriminimi.

Kur bëhet fjalë për shkeljen e këtyre të drejtave, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, i penalizon veprimet, duke i paraparë edhe llojet e dënimeve, varësisht për çka bëhet fjalë konkretisht. “Veprat penale kundër të drejtave në marrëdhëniet e punës”, përkatësisht neni 221 dhe 222 i kodit penal, parasheh dënim nga 1 deri në 2 vite burgim, për ata që ua cenojnë qytetarëve të drejtën në punësim. Të gjitha këto, duket qartë që janë shkelur në kohën e fundit, nga vet krerët më të lartë shtetëror./ImerTopanica/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet