Nëntori

Albinot Maloku

Thuhet se nëntori është muaj i shqiptarëve. Data e 28-të e këtij muaji, në vete ndërlidh disa momente historike, por ndër më të rëndësishmet mbetet Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Rastësisht (apo jo), me këtë datë lindi komandanti legjendar Adem Jashari ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës me 28 nëntor 1997 hapur u shfaq në publik për t’i treguar qëllimet e saj. Për këto dhe shumë arsye të tjera, nëntori është muaji në të cilin jo vetëm festohet, por edhe reflektohet për të arriturat, ngecjet e sfidat e kombit shqiptar. Reflektimi është më se i domosdoshëm.

Rrugëtimi historik, ndër ne shqiptarët, është një temë e moçme politike, ekonomike, diplomatike e në disa raste edhe identitare. Vepra e Sami bey Frashërit Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, vazhdon të ngelet përcjellëse e pandashme e temave të tilla, në formën e një riciklimi të vazhdueshëm pyetjesh, me të cilat kombi shqiptar vazhdon të përballët sot e kësaj dite. Vështrimet, opinionet,  mendimet e përgjigjet për këtë përballje të shqiptarëve me të kaluarën, të sotmen e të ardhmen nuk është se kanë munguar. Ato janë shkruar e thënë në forma e mënyra të ndryshme, por sikur ende po vazhdon të mungojë një autoritet përbashkues e i respektuar që mendimet, vështrimet, opinionet e përgjigjet e dhëna t’i bëjë busull orientuese që do të ndiçeshin si synim e politik gjithë-kombëtare shqiptare në çdo kohë e mjedis.

Maratona e formësimit të një politike kombëtare shqiptare, e cila do të mund të ishte boshti rreth së cilës do të sillej edhe politika ditore, pa dyshim nuk ka munguar, por kjo maratonë do të duhej ta kishte një fund të gëzuar, pas së cilit do të kishte një fillim tjetër të vazhdimit të faktorizimit esencial shqiptar. Historia e shqiptarëve, më shumë është e mbërthyer nga goditjet e marra nga brenda e jashtë, sesa çdo komb tjetër i hapësirës së ish-Gadishullit Ilirik i njohur më pastaj si Gadishulli i Ballkanit.

Prozhektorët rrugëtimit të kombit shqiptar nuk është se reflektojnë paqartësi në atë se çka është nevoja e tyre, respektivisht si duhet të përmbushet kjo nevojë. Çdo komplikim i cili ka ndodhur e ndodhë brenda-përbrenda trupit identitar shqiptar, nuk rrjedh si pasojë e mos qartësisë së reflektimit të këtyre prozhektorëve. Qartësia rrjedh nga rrethanat gjeografike, historike, kulturore e identitare të vendndodhjes së shqiptarëve. Që të gjitha paralelisht mund të thyejnë çdo hamendje e cila mund të përcaktojë rrjedhën e nevojave të shqiptarëve në hapësirën e tyre dominuese të të jetuarit në të ardhmen. Të afërt apo të largët.

Shqiptarët në të gjitha hapësirat e tyre gjeografike ku ata jetojnë, nuk është se nuk patën arritje, mirëpo pyetja që parashtrohet tani është se a përmbyllë synimi i shqiptarëve?

Jo. Dhe kujtojë se nuk ka një përgjigje tjetër, gjithmonë mbështetur në atë që do të ishte me të vërtetë përmbyllje e synimit.

Me pavarësimin e Kosovës, me Marrëveshjen e Ohrit, me Marrëveshjen e Konçulit dhe me pjesëmarrjen e shqiptarëve në organet shtetërore qoftë në Podgoricë, Shkup e Beograd nuk është përmbyllë caku e synimi i shqiptarëve. Që të gjitha në vete nuk kanë përmbajtje natyrale, por janë imponime të kohës e të kapaciteteve aktuale që kanë shqiptarët. Mirëpo këto arritje në asnjë mënyrë nuk duhet nënvlerësuar. Këto janë momente që duhet të përplotësohen.

Zgjidhjet aktuale janë imponim i momentit për shqiptarët dhe ato duhet ruajtur, mirëpo rrugëtimi i tyre ka për të vazhduar. Pozicioni aktual i shqiptarëve si në Kosovë, IRJ të Maqedonisë, Mal të Zi, Luginë të Preshevës por as në Shqipëri nuk është garantues i mbrojtjes së tyre në çfarëdo rrethane tjetër politike, historike, ushtarake dhe ekonomike në Ballkan. Qeveritë aktuale në Kosovë e Shqipëri nuk kanë arritur të dëshmojnë strategji tjetër veç asaj të reklamimit dhe servilosjes ndaj situatave e rrethanave të imponuara nga qendra tjera të vendosjes.

Hapi i parë i një recete për politikat shqiptare është vet-respekti, konfirmimi i identitetit të tyre pa menduar nëse i pëlqen dikujt tjetër ose jo. Ruajtja e të arriturave dhe formulimi i një strategjie kombëtare në të cilën ndjehen rehat e mund të besojnë shqiptarët në të. Bërja e një shteti shqiptar, të cilin shqiptarët do ta ndjenin si të tyre, e jo si krijesë e konstelacioneve historike e politike të botës.

Unifikimi i faktorit shqiptar në një hapësirë gjeografike, politike e administrative është proces i cili ruan edhe faktorin shqiptar si tërësi por edhe fuqinë e paqes e të qetësisë afatgjate të Ballkanit. Korrigjimi i kufijve në Ballkan gjithsesi nuk do të ndodh pse veç shqiptarët e duan këtë, por nga se kjo do të imponohet si nevojë e natyralitetit të kufijve të hapësirave shtetërore të kësaj pjese të Evropës.

Pra, e ardhmja e shqiptarëve nuk është në krijimin e shteteve të reja por në natyralizimin e kufijve të hapësirës së tyre etnike. Rrethanat gjeografike, historike, kulturore e identitare të vendndodhjes së shqiptarëve janë qartësuesit i rrugëtimit të shqiptarëve. Çdo modalitet tjetër, nisur edhe nga përvoja është vetëm zgjidhje e momentit dhe nevojë e rrethanave. As edhe miqtë ndërkombëtar nuk i besojnë krijesave të cilat copëzojnë trupin kombëtar shqiptar. Ata mund ti pranojnë e përkrahin për arsye të momentit zgjidhjet aktuale por e dinë që zgjidhje stabile mund të jetë vetëm unifikimi i shqiptarëve në një hapësirë gjeografike.

Me shpresë dhe pa e zgjatur, urime 28 nëntori, Zoti e ruajt popullin shqiptar.

Kategoritë
ANALIZA JAVORE

Të ngjajshmet

  • Tribunali

    Albinot Maloku Dhjetori i këtij viti do të jetë muaj i cili do të përmbyllë punën gati tri dekadëshe të mekanizmit i cili u themelua për të ndjekur penalisht...
  • Zëvendësministrat

    Albinot Maloku  Ndonëse debatet rreth zgjedhjeve lokale nuk do të përfundojnë deri më 19 nëntor, kur edhe do të përmbyllet raundi i dytë, për komunat që kanë shkuar në...
  • Njohjet

    Albinot Maloku Diplomacia e Kosovës është sinonim i dështimit. Me gjasë, secili zyrtarë që është emëruar si Ministër i Jashtëm i Kosovës, këtë pozitë e ka perceptuar si prestigj...
  • Balotazhi

    Albinot Maloku Republika e Kosovës e përfundoi me sukses edhe një proces zgjedhor për nivelin lokal që përfshiu 38 komuna për të zgjedhur anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetarët...