Në qoftë se Vjosa bëhet kryeministre, a duhet ta udhëheqë edhe LDK-në?

Vjosa Osmani e ka kthyer entuziazmin brenda kampit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Mbështetja masive nga elektorati i këtij subjekti, duket sheshazi. Njohësit e zhvillimeve politike konsiderojnë që ambiciet e saj për ta udhëhequr këtë subjekt, varen kryekëput nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve, prandaj kjo është një garë e dyfishtë për të – shkruan Gazeta e Re.

Figura e Vjosa Osmanit duket që e ka ngjallur shpresën tek elektorati i LDK-së. Ata shpresojnë që qeveria që do të formohet pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, të udhëhiqet nga vet ajo. Me gjithë vështirësitë me të cilat u ballafaqua partia gjatë procesit të brendshëm zgjedhor, dhe me gjithë pakënaqësitë që u shfaqën gjatë këtij rrugëtimi, duket që ajo e ka rimarrë veten. Duke u nisur nga kjo, analistët politik thonë që nëse Osmani arrin t’i mund rivalët për kryeministra në këto zgjedhje të parakohshme, ajo medoemos e meriton të bëhet edhe kryetare e partisë.

«Kjo çështje varet më shumë nga LDK si parti politike. Natyra e këtij subjekti, është pak e komplikuar. Ajo komplikohet edhe më kur bëhet fjalë për të zgjedhur lider» – shpreh skepticizmin e tij analisti politik Blerim Burjani.

Në anën tjetër, Florim Zeqa, vë në dukje entuziazmin që e ka kapluar subjektin, qysh nga nominimi i Vjosa Osmanit për kandidate për kryeministre të vendit:

«Bazuar në parafushatën e kandidates për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani duket që ka fituar një mbështetje të parezervë nga elektorati i këtij subjekti politik.»

Duke u nisur nga kjo, Zeqa konsideron që ajo tashmë është në lojë për të parën e partisë, ndonëse krejt varet edhe nga disa faktorë:

«Nëse e marrim si kriter mbështetjen e fuqishme të zonjës Vjosa Osmani nga elektorati i LDK-së, atëherë pavarësisht rezultatit zgjedhor, Vjosa do duhej të merrte timonin e partisë. Megjithatë, nuk duhet anashkaluar faktin se zgjedhjet në LDK kanë përfunduar. Prandaj, edhe vullneti i elektoratit të LDK-së mund të mbetet vetëm dëshirë po qe se Vjosa nuk arrin t’i fitojë zgjedhjet!»

Zeqaj analizon tërë rrjedhën e procesit të brendshëm zgjedhor, duke përfunduar te konkluzioni që figura e Osmanit është vërtetë konkurruese dhe e frikshme për kundërkandidatët e partive të tjera:

«Pas ngufatjes së vullnetit të elektoratit në procesin e brendshëm zgjedhor, mbështetjen e fuqishme të elektoratit të LDK-së për Vjosën kryeministre, duhet kuptuar si dëshirë të elektoratit që ka shpërthyer si vullkan për ndryshime në LDK dhe mbarë Kosovën. Sikur zonja Vjosa Osmani të ishte propozuar si kandidate për kryeministre vetëm 5-6 muaj më parë gjatë procesit të brendshëm zgjedhor, fitorja e LDK-së në këto zgjedhje jo vetëm që do të ishte e garantuar, mund të ishte fitore absolute e zgjedhjeve. Mënyra e kandidimit të Vjoses vetëm 5 minuta para orës 12-të, nuk erdhi nga gjeneroziteti dhe dëshira e kryetarit dhe as e kryesisë qendrore, por erdhi nga frika e ndëshkimit nga elektorati për shkak të procesit të deformuar zgjedhor të partisë. Sikur të pyetej elektorati i LDK-së, kryetari aktual i partisë dhe shumë nga kryetarët e nëndegëve, humbës të disa palë zgjedhjeve lokale,fare nuk do të ishin rizgjedhur, madje edhe përbërja e kandidatëve për deputet do të ishte krejt më ndryshe nga se që është. Nisur nga ky fakt, është hera e dytë që Isa Mustafa nuk e pati guximin të përballet me elektoratin. Në zgjedhjet e kaluara e “dogji” profesorin Avdulla Hoti, ndërsa në këto zgjedhje e ka vendosur ta sfidojë Vjosën! Mirëpo kësaj radhe situata është pak më ndryshe, mos respektimi i vullnetit të elektoratit në zgjedhjet partiake, e ka kthyer Vjosa Osmanin lidere morale të partisë. Tendenca për “djegien” e Vjosës, do të prodhoj zgjedhjet e jashtëzakonshme në LDK për shkak të mbështetjes së jashtëzakonshme të elektoratit. Si pasojë e ngufatjes së vullnetit të elektoratit, sot paradoksalisht përballë katër pretendentëve për kryeministra, Vjosa Osmani është e vetmja kandidate që nuk është lidere e partisë. Një fjalë e urtë popullore e thotë: ‘Sa më shumë e shtrëngon pushkën, krismën e ka më të madhe’! Oshtima e LDK-së ua ka futur frikën partive rivale, mbështetja e fuqishme e elektoratit për Vjosa Osamnin i ka tmerruar kandidatët për kryeministra.»

Por analisti Blerim Burjani ia kujton opinionit që për t’u zgjedhur në krye të LDK-së, duhet kaluar pengesa mjaft të mëdha, ashtu siç edhe është dëshmuar në zgjedhjet e fundit: «Me shumë vështirësi ka mbërri ta rizgjedhë edhe Isën», ku procesi është karakterizuar nga “negociata” e diskutime të brendshme, mjaft të vështira ndërmjet krerëve të LDK-së.

«Vjosa mund të paraqet diçka të rëndësishme për votuesin e LDK-së, ose një konsensus brenda vet subjektit, por jo edhe për elektoratin e përgjithshëm. Sot Kosova nuk ka parti të mëdha me elektorat të madh e fanatikë. Ka shumë të pakënaqur. Kurrë nuk kanë dalë në zgjedhje 60% e votuesve, e në këto zgjedhje do të reduktohen nën 40%. Më së shumti do të dalin 35% në nivel nacional. Pastaj Vjosa është e papërvojë për tema të mëdha si dialogu, zhvillimi ekonomik etj. Sidomos me këto dy të fundit është e pamundshme që ajo të merret. Nuk është shumëzimi i fjalëve, e demagogjia ajo që kryen punë, pra për të ndryshuar diçka është vështirë sepse nuk bëhet më fjalë për një dokument të shkruar të mundshëm i cili do të zbatohet. Nëse arrin Vjosa të merret me këto tema që janë shumë të rënda, e që nuk ka mundur as Kadri Veseli kur është fjala për zhvillim ekonomik, korrupsion etj, s’mund të sjell rezultate. Kadria mund të merret me dialog dhe përfundim të tij nëse Thaçi e përkrahe nëse jo, atëherë edhe ky dështon në këtë temë.»

Por Burjani është i vetëdijshëm që suksesi i saj në garën për kryeministre, do ta determinojë edhe të ardhmen e saj brenda partisë:

«Nëse arrin suksese atëherë pse jo? Ambiciet e saj gjithmonë janë më të mëdha se sa fuqia intelektuale dhe aftësia për të u marr me problemet e mëdha.»

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare përveç Vjosës, në garë për kryeministër të vendit janë edhe Albin Kurti, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli e Milaim Zeka./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet