Në prag të zgjedhjeve iu bëjnë vend “jaranave”

Ndërsa data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare po avitet, partitë që ende i kanë në duar frerët e shtetit, po mundohen që sa më mirë ta shfrytëzojnë pozicionin e tyre. Për ta rritur numrin e elektoratit, “miqve” të tyre po ua sigurojnë edhe ndonjë vend të punës, ose po i fusin në listat për veteranë, raportojnë të përditshmet tona – shkruan Gazeta e Re.

Njëri prej sektorëve me të cilin është abuzuar në këtë drejtim, është ai i diplomacisë. Behxhet Pacolli, Ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës në detyrë, ka emëruar disa zyrtarë në funksion të shërbimit të jashtë diplomatik, e ndërsa ata kanë një të kaluar si anëtarë të partisë që ai e drejton – Aleanca Kosova e Re.

Kështu, Ngadhnjim Makolli, Liridon Sadrija e Ramiz Ismajli dalin të jenë bashkëpunëtorë partiak, madje të vjetër, të Pacollit. MPJ-ja pretendon që këta emra janë përzgjedhur në bazë të një konkursi të shpallur në mars të këtij viti. Sipas Kohës Ditore, të tri gradimet janë të firmosura nga dora e Pacollit.

Diplomacia kosovare, edhe ashtu e shkallmuar e pa rezultate, po vuan edhe për mungesë të disa emërimeve të tjera. Kohë më parë është bërë emërimi edhe i gjashtë ambasadorëve të Kosovës në disa shtete të tjera të botës, të cilat, po ashtu po kontestohen. Për më shumë, gazeta Zëri raporton se nga njohës të kësaj fushe, ka pasur zëra që emrat e lakuar presidenti as që duhet të i akreditojë.

Kështu për pozitë ambasadorësh janë përmendur Ilir Dugolli – si ambasador në Turqi, Frymëzim Isufaj në Britani të Madhe, Lulzim Mjeku në Arabi Saudite, Lendita Haxhitasimi në Itali, Lulzim Pllana në Austri e Adriatik Kryeziu në Kanada.

Por nuk është vetëm sektori i diplomacisë, ai që po keqpërdoret në prag të zgjedhjeve. Një tjetër fenomen u ka rënë në sy mediumeve tona. Listat e veteranëve të UÇK-së, kanë nisur rishtaz të fryhen.

Ndonëse për këtë punë janë hapur hetimet dhe vetëm pak muaj më parë, ka qenë ndër top temat e trajtuara edhe nga ana e mediave, dikush po guxon t’i certifikojë si veteranë, të gjithë ata që duan të përfitojnë nga kjo situatë e mjegullt.

E gjitha po bëhet për dobi të fushatës, për ta shtuar numrin e elektoratit. Siç dihet, ekziston një aktakuzë e ngritur ndaj dymbëdhjetë anëtarëve të Komisionit Qeveritar, pikërisht për dyshime rreth: «Keqpërdorim të autoritetit ose pozitës zyrtare». Praktikisht Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari – janë nën hetime.

Që nga rasti i Elez Blakajt; Prokuror Special – i dorëhequr, kjo çështje ka mbetur pezull. Ai ka qenë duke u marrë pikërisht me hetimin e këtyre listave, ku, sipas tij, janë hetuar manipulime të mëdha. I detyruar ta lëshojë Kosovën, ai ka rrëfyer se si gjatë punës së tij, ka qenë edhe i kërcënuar.

Mirëpo është kohë fushate zgjedhore, andaj llogaritë janë bërë ndryshe. Meqë procesi i verifikimit të listave ka mbetur pa u përfunduar, dikush është i interesuar që ta rris numrin e votuesve. Kjo nuk vlen vetëm për rastin e veteranëve të rrejshëm, por edhe për të punësuarit në sektorin e diplomacisë – kështu të paktën thonë njohësit e rrethanave politike në vend./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet