Në prag të vitit të ri shkollor, problemet po trokasin

Problemet në arsimin parauniversitar, duket që nuk do të shmangen për një kohë të gjatë. Ato fillojnë nga problemet infrastrukturore e përfundojnë te literatura e dedikuar për nxënësit. Sikurse herëve të tjera, edhe ky vit pritet të na ballafaqojë me probleme të njëjta – shkruan Gazeta e Re.

Viti i ri shkollor mund të rifillojë me protesta. Sindikata e Bashkuar e Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), është pozicionuar kundër idesë së Kryetarit të Kamenicës Qëndron Kastrati, për siç e ka quajtur ai «riorganizimin e shkollave, si rezultat i ndryshimeve demografike». Por sindikata, e cila është mbështetur në këtë kauzë kundërshtuese, edhe nga disa politikanë, po konsideron që Kastrati po do t’i mbyllë ato shkolla, duke e quajtur këtë një akt të papranueshëm.

«Duke u përballur me reagimin publik të SBASHK-ut kundër idesë së tij që, gjoja në emër të reformës në arsim, të mbyll një numër shkollash në Kamenicë, kryetari i kësaj komune Qëndron Kastrati me bashkëpunëtorët dhe përfaqësuesit e një OJQ-je, që del se është ideatorë e idesë së mbylljes së një numri shkollash, kanë vizituar selinë e SBASHK-ut dhe kanë zhvilluar një bashkëbisedë të gjatë me stafin e sindikatës së arsimit» – thuhet në një komunikatë të SBASHK-ut, pas takimit të zhvilluar me Kryetarin e Kamenicës, z. Kastrati.

Sipas tyre, «ajo që është përsëritur nga z. Kastrati dhe anëtarët e kësaj OJQ-je se ideja është në dobi të nxënësve dhe punëtorëve të arsimit nuk ka qenë e mbështetur në argumente të qëndrueshme dhe është2 kundërshtuar me argumente nga kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe stafi tjetër i kësaj sindikate.
Ata kanë përsëritur se duke përfaqësuar zërin e punëtorëve të arsimit të Kamenicës dhe komunave tjera dhe duke iu bashkëngjitur kundërshtimit të pjesës më të madhe të prindërve nga kjo komunë janë kundër mbylljes së shkollave atje dhe kanë kërkuar nga kryetari Kastrati që ta tërheq këtë ide në mënyrë që viti shkollor edhe në Kamenicë të filloi pa probleme. Në të kundërtën i është me dije se do të përballet me reagimet sindikale, gjegjësisht me grevën në të gjitha shkollat e kësaj komune dhe me solidaritetin e punëtorëve të arsimit nga e tërë Kosova».

Megjithatë, sipas Kastratit bëhet fjalë për një riorganizim të shkollave, dhe jo për mbylljen e tyre. Ai u është përgjigjur edhe akuzave edhe të Kadri Veselit (i cili duket që është sinkronizuar me sindikalistët):

«Kadri Veseli paska ardhur në Kamenicë gjatë vikendit. Ai na paska akuzuar se po i mbyllim shkollat e po i detyrojmë njerëzit të largohen. E kundërta është e vërtetë. Ne po e bëjmë riorganizimin e shkollave si rezultat i ndryshimeve demografike që tashmë kanë ndodhur. Paska ardhur burri i botës me e vajtu problemin qe e ka krijuar ai vet me partinë e tij. Nëse duhet bërë renditjen e atyre që kanë përgjegjësi për këtë shpërngulje të njerëzve nga Kamenica dhe jo vetëm, në krye të saj është keqqeverisja e PDK-së. Kjo keqqeverisje, me politikat e gabuara ekonomike i ka lënë njerëzit buzë ekzistencës; pasurinë publike e ka trajtuar si plaçkë, kurse resurset si arsimi e shëndetësia bazë klientelizmi; kjo qeverisje e ka lënë Kamenicën pa investime dhe Kosovën pa perspektivë; kjo qeverisje i ka degdisur njerëzit duke i lënë vetëm. Kush si ka mundur, disa brenda Kosovës, në Prishtinë apo Gjilan, të tjerët kanë marrë botën në sy.

Kamenica sot ka 40% më pak nxënës sesa në vitin 2011. Në më shumë se gjysmën e shkollave në Kamenicë, klasa e parë i ka më pak se 5 nxënës. Në anën tjetër, duke bërë politikë struci, të udhëhequr nga interesat afatshkurtëra klienteliste, qeverisjet lokale, njëra pas tjetrës kanë vazhduar me numrin e njëjtë të punësimeve, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Secili që është interesuar sadopak për këtë punë e di që nuk ka mësimnxënie kur mësuesi në një klasë me 5 nxënës i ka dy ditarë me vete, njëri për klasën e parë, tjetri për të katërtën.

Standardi evropian i projektimit që kërkon 20 nxënës për klasë, bashkë me metodat e mësimit në grupe, kanë një qëllim konkret mbrapa. Ky numër, përmes punës në grupe mundëson shoqërizim e bashkëpunim. Njëkohësisht, duke e shmangur mësimdhënësin si qendër e dijës u jep mundësi nxënësve për autonomi e vetëzhvillim, duke e tejkaluar kështu mësimin mekanik. Në shumë shkolla të Kamenicës, për shkak të mungesës së kuadrove sot kemi arsimtarë që mbajnë orë që nuk përputhen me kualifikimin e tyre. Riorganizimi i shkollave ndikon në rritjen e cilësisë sepse mundëson që në shkollat e mbetura t’i kemi mësimdhënësit më të mirë. Ky riorganizim mundëson investime të qëndrueshme në infrastrukturë, por edhe menaxhim më efikas të shkollave.

Kush brengoset njëmend për arsimin e di që kjo reformë është domosdoshmëri. Kjo reformë nuk ka filluar deri tash pikërisht sepse gjithçka që është bërë deri më tash ka qenë ruajtje e status-quos duke dëmtuar fëmijët. Ne e dimë që kjo reformë nuk është popullore dhe askush që nuk mendon më shumë sesa mandati i ardhshëm nuk i përvishet kësaj pune. Ne e dimë se zbatimi i kësaj reforme mund t’i kushtojë qeverisjes aktuale, por jemi të bindur se prej saj do të përfitojnë nxënësit.

Për fund, dua t’i siguroj të gjithë të shqetësuarit se qëllimi i reformës nuk është largimi i njerëzve nga puna dhe rëndimi i gjendjes. Ne tashmë kemi paraparë masa që nuk e lënë askënd në rrugë».

Nga ana tjetër, Alush Istogu Drejtor për Arsim Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, në një intervistë për televizionin publik ndër të tjera siguroi që MASHT-i i ka bërë të gjitha përgatitjet për t’ia filluar vitit shkollor mbarë, duke e përpiluar planin dinamik, në bashkëpunim edhe me drejtoritë komunale të arsimit nëpër të gjitha komunat e Kosovës.

«Ne mund të themi se nga Ministria e Arsimit, janë katër objekte shkollore, që do të zhvillohen si objekte të reja shkollore, ndërsa janë katër objekte shkollore që janë bartur nga Ministria e Arsimit në Ministrinë e Administratës Publike, dhe janë edhe tri shkolla të cilat janë ndërtuar me buxhetin e komunave të Kosovës», ka thënë Istogu.

Istogu ka siguruar që MASHT-i edhe këtë vit do të kujdeset që shkollat të furnizohen me librat shkollorë të paraparë për klasë të caktuara, duke premtuar që edhe nëse ka vërejtje nga ana e mësimdhënësve, do të merren parasysh. Viti i ri shkollor do të nisë këtë të hëne, me 2 shtator, ndërsa institucionet janë duke bërë përpjekje maksimale që ai të nisë me këmbë të mbarë./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet