Në përvjetorin e tentim grusht-shtetit, kosovarët solidarizohen me Turqinë (Foto)

Dje janë bërë tri vite, që nga tentim grusht-shteti në Republikën e Turqisë. Atëbotë, rrjeti kriminal i Gylen-it, duke shfrytëzuar mjaft instrumente që kishte në duar, provoi ta merrte pushtetin e atjeshëm në dorë. Sikurse para tri vitesh, edhe sot me rastin e përvjetorit, ka mjaft qytetarë nga Kosova, që solidarizohen me qeverinë dhe popullin e bashkuar turk, i cili i mbijetoi në mënyrë heroike përpjekjes kriminale të gylenistëve – shkruan Gazeta e Re.

Me datë 14 korrik, televizioni turk TRT në bashkëpunim me shoqatën Gerçek ka prezantuar në Prishtinë filmin dokumentar ‘Rrjeti: Ana e Errët e Gylenistëve’. Çağrı Sakar, Ambasador i Republikës Turke në Kosovë me këtë rast u shpreh duke thënë që dokumentari ka «për qëllim që t’ua hapë kosovarëve sytë për rreziqet që u kanosen nga organizata e Fetullah Gylenit».

Por duket edhe pa dokumentarin, ndjenja e vëllazërisë me turqit dhe institucionet që provojnë ta kultivojnë demokracinë atje, është mjaft i gjerë.

Analisti i njohur Albinot Maloku, është një prej atyre që i është bashkuar karvanit të solidaritetit me popullin turk, duke e kujtuar vuajtjet e popullit dhe sakrificën e madhe në mbrojtje të demokracisë.

«Tri vite më parë, Republika e Turqisë, fjalë për fjalë përjetoi përvojën më brutale, në kuptimin e plotë të fjalës. Ajo u përball me një përpjekje ushtarake për grusht shtet» – ka kujtuar ai nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetin social facebook.

Më 2016, sipas tij, kushdo që nuk e ka përjetuar ‘15 Korrikun’, xhirimet dhe dokumentimet e formave të tjera që kanë ngelur dëshmi e gjallë e asaj nate të përgjakshme, do ta përjetojë si një film dramatik apo tragjik, ka shtuar Maloku.

«Në këtë vend, i cili ishte një shtet i së drejtës, fitorja ishte për të mirën, pavarësisht vrasjes së njerëzve, bombardimit të ndërtesave shtetërore dhe brutalitetit të shfaqur. Në këtë proces, shteti jo vetëm që mbijetoi, por edhe forcoi ekzistencën e tij duke ruajtur vlerat më të larta demokratike.

Këto ditë, pikërisht tri vite pas, këtë kauzë, shteti turk e përkujton sakrificën, përkatësisht jetët e flijuara të njerëzve që ranë për të mbrojtur rendin publik.»

Beni Kizolli, Nënkryetar i Lëvizjes për Drejtësi, po ashtu, nuk ka hezituar t’i bashkohet radhës:

«Atë natë, ishte një sfidë. Ai u ndodh aty dhe fitoi në shesh. Ishte në orën e duhur me njerëzit, aty në shesh».

Gazetari Berk Kyçyk, është një tjetër personalitet i cili ka shkruar me këtë rast:

«Në kohët e vështira të çdo kombi, anëtarët e tij ndahen përherë në dy grupe: ata që luftojnë për të dhe ata që braktisin. Kështu ndodhi edhe në natën e errët të 15 korrikut në Turqi. Një pjesë me papuçe të mbathura e me kartelat bankare në dorë, vraponte drejt bankomateve për t’i ‘shpëtuar’ paratë, e pjesa tjetër me flamuj në dorë marshonte kundër tankeve për t’u martirizuar.»

Siç dihet, më 15 korrik, puçistët me përpjekjen e tyre provuan rrëzimin e qeverisë, përkatësisht Presidentit Erdogan. Por populli turk, pavarësisht pikëpamjeve politike, doli në mënyrë masive për ta parandaluar at pjesë të ushtrisë së manipuluar nga rrjeti i Gylenit, duke iu dalë tankeve dhe ushtarëve përballë, në ruajtjen e demokracisë. At natë, më shumë se 250 njerëz ishin vrarë e mbi 1 mijë qenë plagosur. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeTema e DitësVendi

Të ngjajshmet