Ne nuk e kultivojmë debatin, ne e kultivojmë keqkuptimin

‹‹Kush nuk di t’i vendosë mendimet e tij në akull, nuk duhet të përfshihet në nxehtësinë e debatit›› – thotë një shprehje e urtë. E kur bëhet fjalë për debate, duket që shoqëria jonë është larg një standardi kulturor të kënaqshëm. A ka apo jo kulturë të debatit në meset tona? Të shumtët mendojnë që jo. Madje disa shtojnë se mediat i kanë paraprirë dekadencës kulturore, e cila pastaj ka reflektuar edhe në stërkeqjen e kulturës së debateve – shkruan Gazeta e Re.

Temat që zgjojnë kureshtje nuk janë vetëm ato politike, por ato rreth çështjeve që kanë të bëjnë me fenë, me nacionalizmin, e madje, madje edhe me sportin. Mjafton një observim i përkohshëm nëpër faqet zyrtare në rrjetet sociale të mediumeve të ndryshme dhe të kuptosh më së miri se çka i preokupon më shumë “konsumatorët” e medieve. Por ajo që bie më shumë në sy është kultura e debatit, që për disa është krejtësisht e munguar. Alban Çuli, një teolog e polemizues i njohur, për lexuesit tanë ka ndarë pak nga përvoja e tij. Ai tregon se si gjithherë ka një tendencë për bastardimin të debatit, i çfarëdo tematike qoftë ai.

E sociologu Suad Jetullahi mendon se mungesa e kulturës në këtë aspekt ‹‹pjesërisht›› e ka origjinën te niveli i ulët i emancipimit. Ndërsa i pyetur nëse ka një nivel të çfarëdoshëm të kulturës së debatit, ai përgjigjet duke thënë:  ‹‹Jo asesi!››. Ai po ashtu mendon se ‹‹mungesa e tij prodhon mungesën e tolerimit të mendimit ndryshe››.

Për dukurinë e intolerancës flet edhe teologu Çuli, ndërkohë që i veçon edhe disa karakteristika të veçanta të debateve te shqiptarët. Sipas tij: ‹‹Shpeshherë në shumica debatueseve bien në fallcitete logjike gjatë të argumentuarit››. Ndërsa priren nga një tendencë për ta zhvendosur thelbin e debatit, me anë të shpikjeve të sulmeve krejtësisht jorelevante për temën e debatit, kudër kundërshtarit. Sulmet ndaj Ad Hominem – ‹‹si sulm personal dhe intimidime›› janë karakteristike, pastaj: ‹‹nuk bënë përjashtim nga fallciteti edhe Whataboutism-i, një teknikë hipokrizie sovjetike.››

Teknika e fundit sipas Çulit, mundëson që i sulmuari gjatë përgjigjes të mos fokusohet te argumenti (ndonjëherë), i pathyeshëm, por në hapjen e një fronti të ri sulmesh ndaj kundërshtarit, duke e shantazhuar atë, e përmes kësaj duke e krijuar një perceptim që edhe argumenti i tij është i pavlefshëm.

Prandaj iniciativa të ndërmarra nga të rinjtë, vijnë si nevojë e plotësimit të kësaj zbrazëtie shoqërore e kulturore. Duke e parë nevojën për debate në shoqëri, shpeshherë realizojnë takime për këtë qëllim, duke i ndërtuar kësisoj, përvojat e tyre të para në këtë aspekt. Galdim Ajeti, i njohur si organizator i disa debateve, tregon arsyen se pse ai e ka ndërmarr një iniciativë të tillë.

‹‹Ideja e mbajtjes se këtyre debateve ka qenë e ish profesorit Arni Arnthornsson, i cili duke e parë që gjatë orës së ligjëratave kur debatonim në lidhje me fenë, rolin e gruas, të drejtat e njeriut dhe ku kishe mendime të ndryshme që rezultonin në krijimin e situatave të pakëndshme, sidomos kur përplaseshin persona me ide konservatore me ata me ide liberale›› – na inkurajonte për organizime të tilla më të mira. Ai tregon që qëllimi i fundmë është ‹‹zbutja e qëndrimeve dhe që këto organizime të bëhen shkak që në vend të largimit, njerëzit të bashkohen, duke i eliminuar keqkuptimet e mospajtimet. Shoqëria jonë mendoj se është shoqëri e përçarë, sidomos kur bie fjala për të drejtat dhe liritë fetare, për lirinë dhe të drejtat e gruas apo çështje rreth identitetit.

Ndërsa i rikujton disa personalitete me të cilët ka pasur rastin të bashkëpunojë, Ajeti konfirmon që iniciativa të tilla do të mbeten të gjalla edhe më tej. /ImerTopanica/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet