Në luftën e brendshme në Siri mbi 14.300 persona kanë vdekur nga torturat

Sipas raportit të SNHR-së, në Siri që nga marsi 2011 e deri më tani për shkak të torturave kanë humbur jetën 14.388 persona, përfshirë 177 fëmijë dhe 63 femra.

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR), njoftoi se që nga marsi 2011 e deri më tani në Siri gjithsej 14.388 persona kanë vdekur nga torturat shumica e të cilave të kryera nga regjimi i Bashar Al-Asadit, raporton Anadolu Agency (AA).

SNHR, që dokumenton shkeljet e të drejtave kundër civilëve, me rastin e 26 qershorit, Ditës Ndërkombëtare për Solidarizimin me Viktimat e Torturave ka përgatitur një raport special për Anadolu Agency (AA) lidhur me personat që kanë humbur jetën për shkak të torturave në Siri.

Sipas raportit, në Siri që nga fillimi i kryengritjes së popullit në mars 2011 e deri më tani për shkak të torturave kanë humbur jetën 14.388 persona përfshirë 177 fëmijë dhe 63 femra, shumica e të cilëve nga ana e regjimit të Bashar Al-Asadit.

Në kuadër të raportit theksohet se regjimi i Asadit ka vrarë me këtë mënyrë 14.235 persona, 173 prej të cilëve fëmijë dhe 46 femra.

Ndërsa organizata terroriste YPG/PKK ka masakruar duke torturuar 52 persona, prej të cilëve 1 fëmijë dhe 2 femra. Kurse organizata terroriste DEASH ka vrarë duke torturuar 32 civilë, prej të cilëve 1 fëmijë dhe 14 femra.

Ndërkohë opozitarët ushtarakë dhe grupet e armatosura kundër regjimit kanë shkaktuar vdekjen si pasojë e torturave të 69 personave, përfshirë 2 fëmijë dhe 1 femër.

Në raport theksohet se forcat e regjimit të Asadit përgjatë luftës së brendshme kanë zbatuar tortura të ndryshme ndaj 1.2 milionë sirianëve dhe se një pjesë e madhe e këtyre personave janë ende të burgosur.

“Regjimi aplikon torturën për të marrë hak”

Në raportin ku theksohet se “Regjimi sirian aplikon torturën për të marrë hak ndaj opozitarëve”, njoftohet se forcat e regjimit aplikojnë 72 mënyra të torturave fizike, psikologjike dhe seksuale ndaj personave që mban nëpër burgjet e tij.

Ndër të tjera, në raport theksohet se të arrestuarit jetojnë në mungesë të kushteve shëndetësore dhe se në shumicën e burgjeve të regjimit qëndrojnë 50 persona në një hapësirë mesatarsisht 24 metër katror.

Pas përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19) në rajonet e regjimit, rrjeti SNHR ka theksuar se personat nëpër burgje përballen me rrezikun e jetës.

Burimet opozitare bëjnë të ditur se aktualisht nëpër burgjet dhe qendrat e marrjes në pyetje të regjimit mbahen të burgosur të paktën 500 mijë njerëz.

Kategoritë
BotaLajme