Në këto ditë të nxehta të verës, këshillohet kujdesie e shtuar nga temperaturat

“Vapës afrikane”, e cila e ka përfshirë Ballkanin këto ditë, sipas mjekëve, duhet t’i shmangemi medoemos. Në ditët si këto, thonë ata, veçanërisht foshnjat, fëmijët dhe të moshuarit duhet të kenë shumë më shumë kujdes. Përveç që nuk rekomandohet t’i ekspozohemi diellit, duhet pasur kujdes me lëngjet trupore, meqë një mot i tillë me temperatura të larta, mund ta shkaktojë dehidrimin – shkruan Gazeta e Re.

 Kategoritë që janë më të rrezikuara nuk janë vetëm të moshuarit, foshnjat e fëmijët si dhe gratë shtatzëna, por edhe individët që vuajnë nga sëmundje kronike si:

Sëmundjet kardiovaskulare;

Diabeti, thyreotoksikoza;

Sëmundja pulmonare obstruktive kronike SPOK;

Sëmundje e mendore;

Sëmundjet e veshkave, insuficienca renale, gurët në veshka, etj.

Ndikimi i temperaturave të larta, sidomos tek të sëmurët kronik, jep efekte negative, në varësi të intensitetit dhe shpeshtësisë së ekspozimit. Të moshuarit, duke qenë që e humbin më shpejt aftësinë e rregullimit të temperaturës, etjen e ndiejnë me vonesë, prandaj edhe rreziku tek ta është më i madh.

«Të sëmurët kardiovaskularë kanë dëmtim të përgjigjes së termorregullimit, përgjigje e reduktuar e sistemit kardiovaskular dhe rrezik të lartë për trombozë koronare dhe cerebrale. Tek ata ndodhin ndryshime në funksionin e veshkave të cilat mund të shkaktojnë çrregullime të ritmit të zemrës. Ata që vuajnë nga hipertensioni mund të bëjnë një rënie të papritur të presionit arterial e cila mund të çojë në ishemi cerebrale.

Tek të sëmurët me diabet dhe sëmundje të tjera endokrine, rëndimi i gjendjes shëndetësore është i lidhur me çrregullimin e qarkullimit të gjakut në lëkurë e cila mund të luajë një rol në reduktimin e shpërndarjes së nxehtësisë, gjithashtu djersitja reduktohet dhe ndodhin ndryshime metabolike.

Tek individët me  SPOK, astmë dhe bronkit kronik rëndohet gjendja shëndetësore sipas efektit të kombinuar midis temperatures së lartë dhe ajrit të ndotur. Për shkak të hiperventilimit dhe të dispense këta të sëmurë kanë vështirësi në shpërndarjen e nxehtësisë, dhe dehidrimi pengon nxjerrjen e sekrecioneve nga rrugët e frymëmarrjes, etj» -thuhet në një artikull të publikuar në faqen zyrtare të ISHP-së (Instituti i Shëndetit Publik – Shqipëri).

ISHP gjithashtu iu sugjeron qytetarëve që t’i ndjekin disa këshilla të thjeshta, por praktike, që efektet negative të ekspozimit ndaj diellit, të evitohen më lehtë:

 

  1. Evitoni daljet nga shtëpia në orët e nxehta të ditës, 11.00 – 17.00;
  2. Vishuni lehtë, me veshje pambuku, të gjera dhe ngjyra të hapura;
  3. Mbani në kokë kapele ose çadër dhe syze dielli kur dilni nga shtëpia;
  4. Mbani shtëpinë sa më të freskët. Mbani mbyllur dritaret gjatë ditës. Temperaturat në shtëpi duhen të jenë deri në 25°– 27° Celsius;
  5. Freskohuni here pas here me ujë të freskët duke bërë dush ose duke u lagur me peceta për të ulur temperaturën e trupit në krah, qafë dhe ballë;
  6. Pini lëngje ose ujë në mënyrë të mjaftueshme edhe nëse nuk keni etje;
  7. Mos përdorni pije alkoolike, lëngje me shumë sheqer apo kafeinë;
  8. Konsumoni vakte të lehta me përmbajtje të lartë uji, si zarzavate dhe fruta;
  9. Ruajini ushqimet në frigorifer;
  10. Shmangni ngrënien e ushqime të nxehta apo pikante.

 

Sipas ISHP-së nëse ndonjëri nga anëtarët e familjes ka këto simptome: «lëkurë të nxehtë dhe të thatë, dridhje të forta apo gjendje të fikti» duhet lajmëruar menjëherë ambulancën. E ndërsa presim për ndihmë, duhet ta zhvendosim të sëmurin në një dhomë më të freskët, ta vendosim në pozicion horizontal, mbështetur në njërën anë, duke ia ngritur këmbët pak nga pozicioni horizontal, duke u munduar ta freskojmë me ujë, por kurrsesi të mos i japim paracetamol.

Ditëve të ngrohta të verës, pritet që t’u vijë fundi mjaft shpejt, ndërsa flitet që nesër pasdite moti të pësojë ndryshime radikale. Meteorologët paralajmërojnë që një mot më i ftohtë, do t’ia behë ditëve në vijim, ku mund të ketë edhe shtrëngata në disa vende. Mirëpo deri atëherë, kujdesi duhet të jetë i lartë ndaj temperaturave, veçmas i atyre që ia kanë mësyrë bregdetin për pushime./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet