Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që në zgjedhjet e 9 shkurtit ngjyra matrikuluese (e dukshme) të përdoret për shënjimin e votuesve në mënyrë që të evitohet votimi i shumëfishtë. Ky vendim u cilësua si shkelje privatësisë, me çka u mor edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi. Në letrën që e ka siguruar Gazeta Express, AIP këshillon KQZ’në që ta rishikojë këtë vendim. Një këshillë për këtë çështje, KQZ’së i shkoi edhe nga misioni i OSBE’së.
Në qershor të këtij viti, KQZ mori vendim që ngjyra e padukshme të zëvendësohet me ngjyrë të dukshme. Pra nëse dikush shkon për të votuar, para se ta hedhë votën do t’i shënjohet gishti me ngjyrë të dukshme, në mënyrë që ai person të mos votojë më shumë se një herë. Pas diskutimeve nëse ky vendim përbën shkelje të privatësisë, Agjencia për Informim dhe Privatësi e mori “në dorë” këtë çështje.
Në një letër që e ka parë Gazeta Express, AIP e këshillon KQZ’në që ta rishikojë përdorimin e ngjyrës matrikuluese dhe të merren në konsideratë metoda alternative për të siguruar integritetin e procesit të drejtë zgjedhor.
“Rrjedhimisht nga kjo që u tha më lartë, pa anashkaluar mundësitë e interpretimeve që ka në kompetencë Gjykata Kushtetuese apo edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, gjithherë mbi bazën e autorizimeve ligjore të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ju këshillojmë që të rishikoni përdorimin e ngjyrës matrikuluese gjatë procesit të votimit dhe të merrni në konsideratë metoda alternative për të siguruar integritetin e procesit të drejtë zgjedhor, duke garantuar mbrojtje të të dhënave personale dhe privatësisë së votuesve”.
AIP ka treguar se si ekspozohen ë dhënat personale “në mënyrë të pavullnetshme” përmes këtij vendimit të KQZ’së.
“Ngjyra matrikuluese e vendosur në gishtin e votuesit zbulon faktin se një person ka votuar, pa ekspozuar të dhënat e tij personale. Megjithatë, marrë parasysh faktorët shtesë, si njohja e këtij personi brenda rrethit familjar, në punë, apo në komunitet (fshatra apo lagje), në rrethin ku jeton dhe vepron personi, ngjyra matrikuluese mundëson që personi të identifikohet me emër dhe përmes këtij identifikimi, indirekt të zbulohet informacioni se i njëjti ka votuar ose jo. Nga ky këndvështrim, shënjimi i gishtit me ngjyrë matrikuluese, në mënyrë të pavullnetshme bënë ekspozimin e të dhënave personale. Rrjedhimisht, nga ky ekspozim zbulohen edhe veprime të identifikueshme të personit lidhur me aktivitetin e tij qytetar. Tutje, pavarësisht se ngjyrosja e gishtit me ngjyrë matrikuluese nuk përbën identifikim automatik, megjithatë krijon mundësinë për profilizim, pasi mund të përdoret për të nxjerrë përfundime mbi sjelljen e një personi të identifikueshëm që ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar ose jo.”
AIP i thotë KQZ’së se ngjyra matrikuluese nuk përdoret në vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas AIP kjo metodë praktikohet në Afganistan, Algjeri, Bahamas, Kamboxhia, Egjipt, Indi, Nigeri, Peru, Irak, Siri, Turqi e Venezuelë, por që është kritikuar edhe atje.
“Në vendet e Bashkimit Evropian praktika e evidentimit të votuesve, qoftë me ngjyrë të padukshme ose të dukshme, nuk aplikohet. Është e rëndësishme të theksohet se përdorimi i kësaj praktike në vendet tjera të botës është bërë kryesisht për shkak të problemeve me lista zgjedhore, ku ekziston frika e votimit të shumëfishtë për shkak të mungesës së regjistrave të sakta dhe të përditësuara të votuesve, apo ku dokumentet e identifikimit të qytetarëve nuk janë të standardizuara apo të institucionalizuara, që në Republikën e Kosovës nuk është e nevojshme pasi që ka forma të tjera të cilat e verifikojnë mundësinë e votimit të dyfishtë. Praktika e shënjimit me ngjyrë matrikuluese (të dukshme) është aplikuar dhe vazhdon të aplikohet në vendet si: Afganistani, Algjeria, Bahamas, Kamboxhia, Egjipti, India, Nigeria, Peruja, Iraku, Siria, Turqia, Venezuela, Meksika etj., përderisa e njëjta praktikë është kritikuar për shkak të mundësisë së shkeljes së privatësisë dhe ekspozimit të votuesve ndaj presionit social ose politik.”
OSBE i kërkoi KQZ’së që të konsultohet me palët e interesit në zgjedhje
Ditë më parë, nga OSBE i kanë thënë Gazetës Express se kjo ngjyrë përdoret për të parandaluar votimin e shumëfishtë, e kështu ruhet integriteti i procesit zgjedhor.
Mirëpo sipas misionit kësaj risie duhet t’i paraprijë një konsultimi të hapur dhe të gjerë me të gjitha palët e zgjedhjeve dhe e ka inkurajuar KQZ’në ta bëjë këtë.
“Ngjyra e dukshme ose e pashlyeshme zakonisht përdoret si masë për të parandaluar votimin e shumëfishtë dhe për këtë arsye kontribuon në ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor. Si çdo risi në procesin zgjedhor, asaj duhet t’i paraprijë një konsultim i hapur dhe i gjerë me të gjitha palët e zgjedhjeve. Andaj ne inkurajojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili është përgjegjës për zbatimin e masave që sigurojnë më së miri integritetin e zgjedhjeve në Kosovë, që të konsultohet me të gjitha palët e interesit në zgjedhje”, kanë thënë nga OSBE për Express.
Ndërsa, një javë pasi KQZ mori vendimin për ngjyrën matrikuluese, drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, kishte thënë se ai vendim është regres.
“Ne siç kemi të drejtë të marrim pjesë në një proces zgjedhor, po ashtu e ruajmë dhe të drejtën të mos marrim pjesë në zgjedhje. Është e drejtë kushtetuese e garantuar. Këtë të drejtë se kemi pasur të cenueshme me ngjyrën e padukshme e cila mund të shihej vetëm me dritë ultraviolete, duke mbrojtur kështu privatësinë tonë si votues.”
Ai ka dhënë detaje për ngjyrën matrikuluese që pritet të përdoret në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ngjyra matrikuluese është e dukshme për të paktën 24 orë dhe mund të zgjasë deri në 72 orë ose dhe më shumë. Për më tepër, kjo ngjyrë është rezistente ndaj larjes me ujë dhe detergjenteve të zakonshëm, nganjëherë edhe ndaj kimikateve më të forta, duke e bërë të vështirë heqjen e saj në një periudhë të shkurtër kohore.”
Sipas tij me përdorimin e ngjyrës së dukshme cenohen të drejtat e njeriut – privatësia dhe anonimiteti.
“Ngjyra matrikuluese besoj unë, cenon të drejtat e njeriut siç është privatësia dhe anonimiteti, pasi që me anë të kësaj ngjyre në gisht, do ti ekspozohemi një publiku të gjerë, dhe secili që na sheh do të dijë a kemi votuar a po jo. E drejta e votimit është e drejtë private, për të cilën s’ka arsye të dijë publiku i gjerë. Tani me shenjëzimin e KQZ-së, mund ti nënshtrohemi një presioni stigmatizues dhe të jemi nën presion shoqëror të padëshiruar. Le anash presionet tjera, që potencialisht mund të bëhen nga partitë politike për të votuar dhe dëshmuar se a kemi votuar.”
Ai ka thënë se në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në BE nuk praktikohet përdorimi i ngjyrës matrikuluese “pasi shumica prej tyre kanë adoptuar sisteme të avancuara të regjistrimit të votuesve dhe masa të tjera për të siguruar integritetin e zgjedhjeve”.