Në Ankara mblidhen studentët e Ballkanit

Për katër ditë radhazi, nën organizimin e organizatës joqeveritare “Besader” në Ankara u mbajt takimi tradicional “Kampi Studentor Ballkanas”. Ky takimi i cili po mbahet për të nëntën herë radhazi, ka mbledhur mbi 1100 pjesëmarrës, ku shumica prej tyre ishin studentë nga vendet e Ballkanit të cilët vijojnë studimet në nivelin bachelor, master dhe atë të doktoratës, në mbi 50 universitete të Turqisë.

Pjesë e këtij organizimi ishin edhe përfaqësues të shoqërisë civile të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë, Serbisë, Bullgarisë e Rumanisë.

Në kuadër të aktiviteteve që ishin organizuar gjatë këtij kampi, pati debate dhe panele ku u diskutua për lidhjet e këtyre vendeve me shtetin turk, bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor, ku u theksua mbështetja e Republikës së Turqisë për studentët nga këto hapësira, në aspektin profesional dhe akademik.

Qëndrimi katërditor në kryeqytetin turk, u përcoll edhe me aktivitete sportive, rekreative e kulturore.

Vlen të theksohet se shumica dërrmuese e studentëve vinin nga trevat shqiptare, duke përfshi Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës.

Ky kamp është mbështetur nga Ministria e Rinisë dhe Sportit të Turqisë, Agjencioni Shtetëror për Zhvillimin dhe Koordinim (TIKA), Fondacioni  për Arsim – Maarif, Ministria e Arsimit të Turqisë dhe nga Katilim Ziraat.

Në mbyllje të këtij aktiviteti mysafirët u nderuan nga organizatorët me pllakata mirënjohje e dhurata./Gazetaere.com

Kategoritë
DIASPORALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet