Në 20 vjetorin e çlirimit

Me rastin e njëzet vjetorit të çlirimit të vendit nga forcat okupatore militare e paramilitare serbe, do të ndodhin aktivitete të shumta. Kosovën në këtë përvjetor po e nderojnë figura të njohura ndërkombëtare, ndër të cilat edhe ish Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Bill Clinton – shkruan Gazeta e Re.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi qysh dje e ka kujtuar këtë momentum historik, duke shprehur me këtë rast mirënjohje për të gjithë ata që kanë sakrifikuar për atë ditë.

“Në këtë ditë, 20 vjet më parë, Millosheviqi dhe ushtria e tij u dorëzuan para NATO-s. Marrëveshja e Kumanovës do të thotë çlirim, fund i gjenocidit, paqe dhe fillim i jetës së re në liri dhe barazi për ne. Ishte një rrugëtim i dhimbshëm, por krenar për rindërtimin e vendit dhe shoqërisë sonë. Për botën ishte një fitore e të drejtave të njeriut mbi çdo cenim në shekujt e mëparshëm. Me respektin më të madh e kujtojmë çdo sakrificë të çdo kombi që iu bashkua NATO-s në këtë luftë të drejtë. Me dhimbje, por gjithmonë duke u krenuar me heroizmin e tyre, e kujtojmë edhe çdo dëshmor që ka rënë për të bërë realitet ëndrrën tonë. U jemi përjetësisht mirënjohës!” – ka shkruar ndër të tjera presidenti.

Si e pritët ju kapitullimin e Serbisë dhe hyrjen e NATO-s?

Kryeministri, ndërkaq i ka kujtua momentet drithëruese, duke thënë që atëbotë e kishin pritur ndërhyrjen e NATO-s. Në një intervistë për Tv Klan ai tha që “ishte e ditur që pas nënshkrimit të marrëveshjes (së Kumanovës), çdo gjë do të ndryshonte”.

Ndërhyrja e NATO-s qe një akt i cili i dha fund gjenocidit ndaj kosovarëve. Fillimisht 50 mijë ushtarë nga shtete të ndryshme anëtare të kësaj organizate, i detyruan trupat militare e paramilitare serbe që të tërhiqeshin. Britanikët, ishin të parët që zbarkuan, ndërsa misioni ishte ndarë në pesë zona të përgjegjësisë. Ato i morën përsipër KFOR-i amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Këtij akti i parapriu lufta e ashpër ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe. Për shkak të potencialit të pa-barabartë ushtarak, këto të fundit kryen edhe masakra e gjenocid ndaj popullatës së pambrojtur kryesisht shqiptare.

Në fakt ndërhyrjes i paraprinë edhe disa aksione bombardimi nga avionët e NATO-s, ku me ç’rast Sllobodan Millosheviq, u detyrua ta pranonte kapitullimin. Për 78 me radhë në ato aksione avionët e NATO-s bombarduan caqet e ushtrisë serbe dhe pika të tjera strategjike si ura dhe objekte të tjera me rëndësi ushtarake. Pasoi pastaj e ashtuquajtura ‘Marrëveshje e Kumanovës’ ajo e cila u nënshkrua nga zyrtarët serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të cilat atëbotë i udhëhiqte gjenerali britanik Mike Jackson.

Bilanci i humbjeve dhe i shkatërrimit ishte i madh. Mbi 10,000 njerëz janë vrarë, rreth 5,000 të tjerë janë zhdukur dhe mbi 1 milion qenë detyruar të zhvendoseshin. Dëmet materiale, po ashtu, konsiderohen të mëdha.

Pas hyrjes së trupave të NATOS, në vend filloi instalimi i misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili e administroi vendin për një periudhë të caktuar kohore. Në “pakon” e marrëveshjes qe paraparë edhe demilitarizimi i UÇK-së, të cilën krerët e saj atëbotë e pranuan paqësisht.

Kosovës iu deshtë pothuajse, një dekadë, për ta shpallur vendin të pavarur nga Serbia, gjë që ndodhi me 17 shkurt të vitit 2008.

NATO është e pranishme edhe sot, edhe pas krijimit të Ushtrisë së Kosovës. Trupat e saj vijojnë ta garantojnë një ambient të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit.

Ish Presidenti Amerikan Bill Clinton i cili cilësohet si urdhëruesi i bombardimeve, pikërisht sot në këtë njëzet vjetor, do ta vizitojë vendin, bashkë me shumë ish zyrtarë, e zyrtarë të njohur nga vende të ndryshme të botës. Krerët më të lartë të vendit, por edhe qytetarët, u shprehin mirënjohje të gjitha vendeve të cilat kanë kontribuuar në çlirimin e Kosovës nga okupacioni serb./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet