Ndihma mjekësore e dërguar nga Turqia arrin në Maqedoninë e Veriut

Pajisjet mjekësore të dhuruara, të cilat përfshijnë maska, kostume mbrojtëse dhe sete për diagnostikim të shpejtë, iu dorëzuan autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.

Avioni ushtarak me ndihma mjekësore të dërguara nga Turqia për vendet e Ballkanit në mbështetje të luftës kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) ka arritur në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Avioni, i dërguar me porosi të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan për pesë vende të Ballkanit, u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, si dhe zyrtarë dhe të ftuar të tjerë.

Pajisjet mjekësore të dhuruara, të cilat përfshijnë maska, kostume mbrojtëse dhe sete për diagnostikim të shpejtë, iu dorëzuan autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.

Në fjalën e tij me këtë rast, kryediplomati maqedonas Dimitrov u shpreh mirënjohës për ndihmën nga shteti mik i Turqisë.

“Në ndihmat e dërguara nga presidenti i Turqisë (Recep Tayyip) Erdoğan, ku përfshihen 50 mijë maska, një mijë kostume mbrojtëse dhe një mijë teste për COVID-19, qëndron një mesazh shumë i bukur, i cili thotë: ‘Pas dëshpërimit, ka shumë shpresë, pas errrësirës ka shumë diell'”, tha Dimitrov.

“Në letrën e tij drejtuar presidentit tonë Pendarovski, dhe unë falënderoj edhe në emër të tij për këtë ndihmë, presidenti Erdoğan na përgëzon për sukseset tona të fundit, anëtarësimin në NATO, vendimin për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE) dhe thotë: ‘Shpresoj që edhe ju së shpejti të jetoni në qetësi dhe shëndet, miq dhe tani aleatë tanë'”, shtoi Dimitrov.

Ndërkaq, mabasadori Sekizkök tha se çdokush po përjeton ditë të hidhura në këtë periudhë në të cilën pandemia e koronavirusit është shndërruar në një kërcënim global, duke vënë theksin mbi nevojën për bashkëpunim në nivel global kundër këtij kërcënimi.

Ai tha se në këto ditë, rëndësi të madhe ka solidarizimi mes liderëve dhe ai ndërkombëtar.

“Duke u bazuar në këtë botëkuptim, Republika e Turqisë u dërgon pajisje shëndetësore vendeve në rajone të ndryshme të botës në mbështetje për luftën kundër pandemisë. Ballkani, ku popujt tanë kanë ekzistuar së bashku për shekuj me radhë, dhe Maqedonia e Veriut, që bën pjesë në zemrën e saj, gjithnjë kanë zënë vend në zemrën e Turqisë dhe popullit turk si në ditë të mira, ashtu edhe në ditë të këqija”, tha Sekizkök.

Ai u shpreh se i japin rëndësi vëllazërisë dhe miqësisë, duke uruar që ndihmat e dërguara me dashuri, miqësi dhe përshëndetjet e presidentit dhe popullit turk të ndihmojnë në “mbylljen e plagëve të popullit të Maqedonisë së Veriut”.

Ndryshe, avioni ushtarak i tipit A400M me ndihma u ngrit mëngjesin e sotëm nga Aeroporti Ushtarak Etimesgut në Ankara për të dërguar pajisje mjekësore në pesë vende të Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Serbinë, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Javën e kaluar, Turqia dërgoi ndihma mjekësore në Itali dhe Spanjë, dy ndër vendet më të prekura nga virusi.

 

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet