Ndërtimi i “Kosova e Re” pritet vitin e ardhshëm

Qeveria e Kosovës përmes një deklarate për media ka bërë të ditur se ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” nis në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, projekt ky i cili do të finalizohet duke i ndjekur dhe përmbushur të gjitha rregullat dhe direktivat ndërkombëtare.

“Projekti ka mbështetje të madhe dhe të pakursyer të partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë. “Kosova e Re” do të finalizohet sepse është e vetmja zgjidhje për të arritur sigurinë e furnizimit me energji, që direkt ndikon në sigurinë nacionale të vendit. Në të njëjtën kohë ne po vazhdojmë me avancimin e projekteve alternative nga burimet e ripërtërira, por nuk mund dhe as nuk guxojmë të eksperimentojmë me sigurinë e vendit”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës përkujton se ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka të ketë deklaruar se nuk do të ketë kompromise në dëm të sigurisë shtetërore të furnizimit me energji elektrike.

“Si ministër i këtij vendi, përgjegjës për energji, nuk do ta lejoj që Kosova të varet nga importet e energjisë. Strategji e vendit është që rritja ekonomike dhe punësimi të ndodhin në vend duke shfrytëzuar potencialet e jashtëzakonshme vendore për gjenerim të energji jo vetëm për nevoja tona, por edhe për eksport. Ne duhet të sigurojmë pavarësi energjetike dhe nuk ka alternativë tjetër, ashtu siç nuk kemi alternativa të tjera për gjenerim të energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Investitori Contour Global ka njoftuar Qeverinë e Kosovës, se është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të këtij projekti nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe se procesi është në fazën finale të përzgjedhjes së kompanisë për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Termocentralit, përfundon komunikata e Qeverisë së Kosovës.

Kategoritë
Ekonomi

Të ngjajshmet