Ndërron jetë Aneta, nëna e kryeministrit Rama

Aneta Rama, nëna e kryeministrit Edi Rama dhe e Olsi Ramës, Drejtorit të Përgjithshëm të FK Partizani ndërroi jetë sot në moshën 82-vjeçare.

Zemra e saj ndali rreth orës 04:00 të mëngjesit të ditës së sotme, (1 gusht)

Këtë e ka bërë të ditur vetë kryeministri përmes një postimi në Facebook.

Mësohet se prej disa ditësh, ajo ka qenë e shtruar në spital dhe vetëm pak ditë më parë ishte kthyer në banesë.

” Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë ku u rritëm e u bëmë burra, e ku mbetëm gjithnjë fëmijë. E di, që deri sa të shoh dot diellin e yjet do të jesh me mua, e bukur dhe e fortë si askush. Do të na mungosh shumë, por asgjë më shumë nuk bëje dot për ne sesa e pamundura që bëre plot përkushtim gjithë jetën, prandaj prehu në paqe mam” – shkruan Rama në Facebook

Mësohet se varrimi do të bëhet në orën 17:00. Për shkak të pandemisë së koronavirusit nuk do të ketë shumë pjesëmarrje.

Mesazhi i familjes Rama
Kryeministri Rama dhe vëllai i tij Olsi i janë drejtuar me një mesazh të gjithë miqve dhe familjarëve ku i kërkojnë mirëkuptim për përcjelljen në banesën e fundit të nënës së tyre.

“Përulësisht u lutemi familjarisht mirëkuptim të gjithë të afërmve e miqve të mirë, për pamundësinë e pritjes së ngushëllimeve e të ceremonisë së përcjelljes së nënës sonë në banesën e fundit, në kushtet e detyrimit për të respektuar rregullat e mbrojtjes së shëndetit të gjithësecilit. I falenderojmë të gjithë për mesazhet prekëse që vazhdojnë ta na vijnë për humbjen e nënës sonë të shtrenjtë dhe e vlerësojmë shumë respektin e mirëkuptimin e kujtdo që do të donte të ishte edhe fizikisht pranë nesh në këtë ditë të vështirë. Edi dhe Olsi Rama!”, shkruhet në mesazhin e familjes Rama për të afërmit.

Në orët e para të mëngjesit në shtëpinë e të ndjerës ka qenë nipi i saj, Gregor Rama dhe bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama e cila i ka qëndruar pranë që prej mbrëmjes së djeshme (31 korrik). Gjithashtu edhe kryeministri sëbashku me të vëllanë Olsi Rama kanë mbërritur në banesë.

Aneta Rama ka punuar si stomatologe në vendlindjen e saj në Vlorë dhe në Tiranë.

Ajo është nderuar me çmimin “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” nga Urdhri i Stomatologëve.

Dr.Aneta lindi në qytetin e Vlorës më 1 shtator 1939. Shkollën dhe arsimin e mesëm e mbaroi në qytetin e lindjes me rezultate ekselente.

Në vitin 1955 filloi studimet në një nga Universitet më me emer të Polonisë dhe i mbaroi me rezultate te shkëlqyera në vitin 1961.

Pasi u diplomua si mjeke stomatologe filloi punë në poliklinikën e qytetit të Vlorës. Dr.Aneta më vonë ka punuar në kryeqytet  duke drejtuar poliklinikën dentare, e Specializuar ne Radiologji e Fizioterapi Stomatologjike.

Dr.Aneta është dekoruar me çmime të ndryshme për punë shumë të mirë e rezultate shkencore në shërbimin ndaj qytetarit.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet