Ndërgjegjja e Ministrit Lekaj dhe patentat për aksidente në trafik

Ditë më parë, 23 persona u arrestuan nga Njësia Rajonale e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, nën dyshimet se janë të përfshirë në rastin e shitjes së patentë shoferëve. Shumica prej të arrestuarve janë zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës, por ministri aktual që e drejton këtë sektor, nuk është se po ndihet përgjegjës për këtë skandal të ri – shkruan Gazeta e Re.

Pas lajmit të arrestimit, i shpejt është treguar ish kryeministri i vendit Isa Mustafa. Mustafa, që njëherësh është kryetar i LDK-së, ia tërhoqi vërejtjen ministrit aktual Pal Lekaj, i cili e drejton Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, që nuk është koha që ai të merret me opozitën, duke ia kujtuar kështu se edhe ai duhet të jap llogari për rastin në fjalë.

«Ministri Lekaj, derisa po gjykohen rreth 20 zyrtarë të tij për korrupsion, e ka gjetur të merret me opozitën. Vërtetë, dikush po tallet me qytetarët! Veç jo opozita. Ministri do të ishte më mirë të mendojë, si prind që është, se sa janë nga shoferët me leje të blera nga zyrtarët e tij, që po vrasin fëmijët tanë nëpër rrugë. Dhe të ndjej përgjegjësi. E jo të tregojë sesi duhet të mbetet në pushtet.»

Por Lekaj iu përgjigj flakë për flakë duke thënë madje që qeveria aktuale, përkatësisht ministria që ai e drejton, ka arritur që ta reduktojë numrin e aksidenteve, që ishte mjaft i lartë edhe në kohën e ‘Qeverisjes Mustafa’:

«Prioritet i yni nuk është Isa Mustafa, janë rregullimi i gjërave të lëna keq nga klika e tij. Nga viti 2017 kur ne erdhem në pushtet, deri sot kur Isa Mustafa kritikon një sektor që tashmë ka filluar të digjitalizohet, ka rënie të aksidentëve me fatalitet për rreth 25%. Askush nuk është mbi ligjin, prandaj nëse ka veprime korruptive në cilindo sektor, drejtësia të ndermarrë veprimet e saj. Ne as më të voglin veprim nuk e bëjmë, sikur dikur nga segmente të ish-qeverisë, për t’i ndalë punën drejtësisë në zbardhjen e secilës thashethëme.

Shoku ish-kryeministër, me poshtë po të shfaq statistikat policiore dhe tonat, përsa i përket aksidenteve me pasoja fatale, gjithsesi një jetë e humbur është shumë, por ne asnjëherë nuk ndalemi në kryrjen e detyrave tona, që e bëjnë trafikun rrugor më të sigurt.

Ju vazhdoni e vajtoni, sepse është e vetmja gjë që e bëni mirë dhe nëse ju duhet ndonjë karrige na thoni.

Aksidentet e përgjithshme kemi zbritje për rreth 10%;

Aksidentet me lëndime kemi ngritje për -15.33 %;

Aksidente me dëme materiale në zbritje për 5 %;

Aksidentet me fatalitet janë në zbritje për – 25.71 %;»

Por përkundër përgjigjes, ish kryeministri nuk e la rehat ministrin.

«Unë vajtoj dhe ndjej dhembje për njerëzit që po vriten në rrugë nga ata që zyrtarët e ministrisë tuaj dyshohet se po ua shesin lejet e vozitjes, pa provim. Vetëm kriminelët mund të sillen me shpërfillje në këtë situatë»  – shprehu shqetësimin Mustafa.

Por ministri iu përgjigj përsëri:

« Ish Kryeministër, e dimë të dytë që po bëhen gjëra të mëdha, por nuk jam “zoti” siç po më drejtoheni. Ka ikur koha kur keni ndikuar në drejtësi. Facebook-u ju la në shtëpi, sepse nga ky rrjet nuk rregullohen gjërat dhe për më tepër, akuzat që po bëni nuk ju kanë hije, si njeri i përgjegjshëm, i dini adresat, nëse keni argumente.»

Indiferentë nuk kanë qëndruar as të tjerët. Gazetari Mefail Bajqinovci ia kujtoi opinionit publik që vetëm pak kohë më parë, në emisionin e tij ‘Puls’, ministri i mohonte pretendimet që mund të ketë shitje të patentë shoferve:

«Ministri Pal Lekaj thoshte se nuk ka shitje të patent shoferëve në emisionin “Puls” edhe pse unë e kundërshtoja duke i treguar sa euro kushton blerja e një patent shoferi. Ministër dolën konstatimet e mia se patent shoferët shiten me çmime deri në 500 euro, policia veproj më në fund duke t’i arrestuar me dhjetra zyrtar të ministrisë së infrastrukturës. Skandalet dhe keqpërdorimet në këtë ministri nuk kanë të ndalur!!»

Por ministrin duket që nuk po e vret ndërgjegjja aq. Ndërkohë sipas të dhënave të fundit «mbi 5200 aksidente në komunikacion janë regjistruar në Kosovë vetëm gjatë periudhës janar – maj të këtij viti, me ç’rast 37 qytetarë kanë humbur jetën. Prishtina prin me numrin e aksidenteve me fatalitet, përderisa në Ferizaj nuk është regjistruar asnjë rast i aksidenteve me të vdekur.»

Reagime ka pasur edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP). Nëpërmjet një shpreh shqetësimin e thellë lidhur me numrin e lartë të aksidenteve të trafikut me fatalitet ku vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti kanë humbur jetën mbi 30 persona.
Sipas IKSHP, nga 1 janari i vitit 2017, në aksidente rrugore kanë humbur jetën mbi 300 persona, prej tyre 137 kanë vdekur më 2017, 129 më 2018.

Këto dhe raporte të tjera, janë duke u komentuar nga qytetarët si të ndërlidhura me atë se shoferët nuk janë të përgatitur për ngasje, ndërsa pjesa më e madhe e tyre i fitojnë ato ilegalisht, duke i blerë. Skandali i fundit s’ka të mos ndërlidhet me vdekjet tragjike dhe vozitjet e pakontrolluara thonë ata. Megjithatë ministrin, nuk duket që po e vranë ndërgjegjja aspak. Ai, sikundër u pa në komentet e tij në rrjetet sociale, si dhe në intervistat për media, nuk e sheh veten përgjegjës për skandalin që lidhet me shitjen e patentë shoferëve. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet