Ndalohet Katica Janeva, prokuroria kërkon paraburgimin e saj

Joveski tha se është konstatuar se arsyet e dyshimit ishin ngritur në një shkallë të arsyeshme të dyshimit se Janeva kishte kryer një vepër penale të shpërdorimit të pozicionit zyrtar dhe autoritetit.

Hetimi për çështjen “Zhvatja” po zgjerohet, tha prokurori i përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, Ljubomir Joveski, i cili theksoi se Prokuroria publike do të kërkojë nga gjykata të parashtrojë masën paraburgim për prokuroren speciale të Prokurorisë Speciale Publike për ndjekjen penale të krimeve që dalin nga përgjimet e paligjshme, Katica Janeva, raporton Anadolu Agency (AA).

Prokuria Themelore Publike për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit që nga 15 korriku po kryen procedura hetimore (rastin Zhvatja) kundër dy personave, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski, për krime të marrjes së ryshfetit për ndikim të paligjshëm, pastrim parash dhe të ardhura të tjera.

Prokurorët po hetojnë nëse dy të dyshuarit kanë lidhje me prokuroren speciale Janeva. Sipas Prokurorisë, të dy të dyshuarit kërkuan fonde nga biznesmeni Jordan Kamçev, i cili është i akuzuar në çështjen “Perandoria”. Ky rast është nën juridiksionin e Prokurorisë Speciale Publik. Në ditën kur filloi hetimi, prokurorja Janeva dha dorëheqje.

Për procesin e vazhdueshëm të hetimit të rastit “Zhvatja”, në një konferencë për media ka informuar sot prokurori Joveski. Ai tha se nga provat verbale dhe materialet e deritanishme të siguruara në hetim është konstatuar se arsyet e dyshimit ishin ngritur në një shkallë të arsyeshme të dyshimit se Janeva kishte kryer një vepër penale të shpërdorimit të pozicionit zyrtar dhe autoritetit.

“Prokurori publik që udhëheq procedurat ka urdhëruar zgjerimin e hetimeve ndaj prokurores publike, e cila është ndaluar, dhe prokuroria do të propozojë urdhrin e ndalimit nga gjykata kompetente. Nga provat e parashikuara është vërtetuar se prokurori publik ka përdorur pozicionin dhe autoritetin zyrtar në bazë të Ligjit të Prokurorit Special dhe dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe ka marrë përfitime thelbësore për veten dhe për të tjerët”, tha Joveski.

Siç bëri të ditur Joveski, nga nëntori i vitit 2018 deri në prill të vitit 2019 një nga të dyshuarit në hetim, duke përdorur ndikimin e tij të pretenduar mbi prokuroren speciale përmes marrëdhënieve miqësore të paracaktuar, ndikoi në kryerjen e një veprimi zyrtar që nuk duhet të lejohet të kryhet.

“Me më shumë masa të ndërmarra dy të dyshuarit për ta bindur të dyshuarin në rastin ‘Perandoria’ në ndikimin të cilin njëri prej personave e ka me prokurorin publik, në më shumë takime ka biseduar përmes spikerfonit me prokurorin publik dhe pas bisedimeve dhe takimeve pasi i dyshuari në rasin ‘Perandoria’ dhe gruaja e tij janë bindur në ndikimin dhe dy personat kundër të cilëve zhvillohet hetimi, nga ky i dyshuar kanë kërkuar 8 milionë euro për lehtësimin e situatës së tij dhe në 20 shkurt të vitit 2019 dy të dyshuarit kanë ardhur në shtëpinë e të dyshuarit në rastin ‘Perandoria’ kanë marrë një çantë të tipit Louis Vuitton me një milion euro ndërsa përderisa ai ishte në paraburgim nga gruaja e tij kanë marrë 500 mijë euro”, tha Joveski, duke shtuar:

“Prokurori publik ka pranuar ndikimin e të dyshuarit dhe ka dhënë propozim që paraburgimi kundër të dyshuarit në rastin ‘Perandoria’ të ndërpritet dhe t’i shqyrtohet masa më e lehtë e paraburgimin shtëpiak, pas çka më 27 dhjetor të vitit 2018 Gjykata e Apelit në Shkup ka sjellë vendim për shqiptimin e masës paraburgim shtëpiak”.

Ai rikujtoi se në periudhën mars-prill të vitit 2019, Gjykata ia ka kthyer dokumentet e udhëtimit të dyshuarit në rastin “Perandoria” pasi paraprakisht ia kishte marrë.

“Prokurori publik për të lehtësuar situatën e tij që të merr statusin e dëshmitarit të mbrojtur, ka shfrytëzuar pozitën e saj zyrtare dhe autorizimin që e ka në përputhje me ligjet dhe për vete dhe për dy të dyshuarit kundër të cilëve zhvillohet hetim ka përfituar pronë në vlerë të konsiderueshme, edhe atë për vete (ka marrë) mobilje dhe gjësende në vlerë prej 298.000 denarëve, të cilat për prokurorin publik i ka porositur njëri nga të dyshuarit, ndërsa për dy të dyshuarit ka përfituar pronë në vlerë prej 1,5 milionë euro”, tha prokurori Joveski.

Mes tjerash, ai theksoi se provat e deritanishme vërtetojnë se bëhet fjalë ekskluzivisht për një ngjarje kriminale-juridike dhe për këtë arsye çështja nuk duhet të politizohet ose të ndërlidhet me pjesëmarrjen e personave nga vendet e tjera.

Kujtojmë që prokurorja Katica Janeva mbrëmë u thirr në Prokurori për të dhënë deklaratë, ndësa sot është ndaluar.

Prokurorja publike Villma Ruskovska nga Zyra e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila merret me rastin “Zhvatja”, konfirmoi sot për mediat se nga Zyra e PSP-së është marrë kompjuteri zyrtar i Janevës dhe se po kontrollohet shtëpia e saj në Gjevgjeli, ndërsa konfirmoi se në Gjykatë është parashtruar propozim për shqiptimin e masës së paraburgimit për Janevën.

Ditëve të fundit, gazeta italiane “La Verita” publikoi video dhe audio inçizime në të cilat paraqiten të dyshuarit në rastin “Zhvatja”.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet