“Natë e gatë” me ndjesi sublime si homazh e thirrje shprese

Thjeshtësia dhe ndjeshmëria në artikulimin e një emocioni aq intim siç është ajo e raportit midis njeriut dhe krijuesit, e kishin tërhequr vokalistin e rock-grupit të njohur “Jericho”, Petrit Çarkaxhiu, te poezia “Natë e gatë” e poetit Fahredin Shehu. Por zanafilla e vargut të kësaj poezie është melodia.

Bashkëpunimi midis poetit dhe këngëtarit zë fill 15 vjet më parë. Atëherë ishin realizuar edhe teksti e melodia e këngës që është publikuar tek tash. Çarkaxhiu ka thënë se pas kaq shumë vjetësh i ishin përveshur punës për të realizuar videoklipin e kësaj kënge, pasi që, sipas tij, ajo krijon lidhshmëri me situatën e krijuar për shkak të virusit COVID-19, raporton KOHA.

Anash pandeminë ai ka thënë se kënga i dedikohet mikut të tij, basistit Suad Jamini, i cili vdiq më 14 qershor të vitit 2018 në moshën 32-vjeçare. Jamini ishte pjesë e grupit “Jericho” së bashku me Çarkaxhiun, kitaristin Leonard Canhasi dhe bateristin Visar Rexha.

Çarkaxhiu ka thënë se kënga “Natë e gatë” është projekti i tij personal dhe se është njëra prej shumë këngëve të cilat do të publikohen në të ardhmen. Në këtë këngë, pos vokalit luan edhe në kitarë akustike. Shoqërohet nga Enver Muhamedi në kontrabas dhe Etibar Asadli në piano, Alafsar Rahimov (balaban), Velican Sagun (Bendir).

“Shpresoj si pjesë e një albumi”, ka thënë Çarkaxhiu. Teksa i është kthyer “Natës…”, ka kujtuar se për poetin nga Rahoveci kishte dëgjuar për herë të parë rastësisht nga një emision në radio.

“Aty mësova për thellësinë e mendimit të tij, mjeshtërinë në të shprehurit poetik, dhe ajo që më bëri me shumë përshtypje, njohuria e tij mbi botën shpirtërore dhe traditat shpirtërore nga e gjithë bota, duke filluar nga religjionet e mëdha e deri tek traditat me mistike si ato te shamanëve, zen-mjeshtërve, kabales, asketeve të krishterimit e deri të tesavufi i islamit”, ka thënë ai, duke shtuar se që atëherë miqësia e tyre ishte thelluar. Sipas tij, Shehu është mjeshtër dhe deshifrues i gjendjeve shpirtërore i aftë për t’i përthekuar ato në vargje me një origjinalitet të padëgjuar ndër këto anë. E që atëherë ka treguar se edhe bashkëpunimi midis tyre ka vazhduar me projekte të ndryshme.

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet