Nagavci: Në zgjedhjet e ardhshme fitorja e VV-së do të jetë edhe më e thellë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje do të jetë edhe më e thellë se ajo e arritur një vit më parë.

Nagavci ka kritikuar Qeverinë Hoti, duke thënë se skandalet janë aq të shpeshta sa nuk po arrijnë t’u adresohet të gjithave. Ajo ka shtuar se po shihet se PDK-ja nuk po ka interes të rrëzimit të Qeverisë dhe se ka mbetur vetëm të bëhet formaliteti i bashkëpunimit të saj në Qeverinë, pasi në mënyrë joformale po bashkëpunon.

“Situata në të cilën jemi me mocionin, tregon se partia tjetër opozitare PDK-ja, nuk e ka synim rrëzimin e Qeverisë, pasi do të bëhej pjesë e mocionit të iniciuar nga ne. Të mos bëjë pseudo-opozitën. Nëse keni përcjellë seancat, në vazhdimësi kritikat e PDK-së dhe gjithë diskutimi nga deputetët e saj janë bërë në raport me Qeverinë Kurti. PDK-ja e di se në zgjedhjet e ardhshme, fitorja e LVV-së do të jetë edhe më e theksuar se ajo e 6 tetorit. Kemi parë zhvillimet e fundit të një formalizimi të Qeverisë, riformatizimi duke parë pjesëmarrje të PDK-së. Kjo do të jetë formilizim, pasi në mënyrë joformale janë shpesh bashkë. Shtyrja e zgjedhjeve është në disfavor të qytetarëve të Kosovës. Çdo ditë më shumë të kësaj Qeverie është dëm për qytetarët, e është mundësi për të korruptuarit e jo profesionistët. Interesi i vendit është të ketë institucione legjitime. Qytetarët të vendosin vet në mënyrë demokratike”, ka thënë Nagavci në intervistën për “Express” në KTV. “Për fat të keq nga dita në ditë skandalet vetëm sa po bëhen më të shpeshta. Janë aq të shumta, sa që nuk po arrijmë t’u adresohemi të gjithave. Edhe vështirësitë e qytetarëve janë gjithnjë e më evidente e të shumta. Mjafton të shihet vetëm sot, skandali i fundit i raportuar nga KOHA, ku ministri i Drejtësisë kishte emëruar këshilltar një person të dyshuar për kontrabandë me narkotikë. Ishte krejtësisht e planifikuar që emri i tij nuk ishte në faqen e Ministrisë së Drejtësisë, pasi emrat e këshilltarëve tjerë ishin. Madje edhe deklarimi i ministrit të Drejtësisë ishte skandaloz, që tha se e kishte liruar nga puna pasi e mësoi këtë nga mediumet. Por vet zyra e tij tha se procesi ndaj këshilltarit kishte përfunduar.

Nagavci ka folur edhe për menaxhimin e pandemisë dhe për prishjen e koalicionit me LDK-në që qoi në rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Nagavci nuk ka thënë se me kë do të mund të bënte LVV-ja koalicion në rast se fiton zgjedhjet e ardhshme, e ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka treguar se sa të kapura janë institucionet e Kosovës. Por Nagavci thotë se sondazhet tregojnë se përkrahja e LVV-së është mbi 50 për qind.

“Për fat të keq vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregoi se sa shumë janë kapur institucionet tona, jemi në fakt të kryer tash. Me kë do të qeverisim është përgjigja që duhet ta japin qytetarët. Në çdo matje të opinionit edhe në tubime e sondazhe e matje të ndryshme që bëhen, përkrahja për Lëvizjen po shtohet në vazhdimësi. Së fundi përkrahja ka qenë mbi 50 për qind”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka shtuar se qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar kishin votuar për të ndryshuar qeverisjet e kaluara.

“Qytetarët e pritën atë Qeveri të të shpresës. Por LDK-ja e tradhëtoi elektoratin e saj. Është fakt i kryer tashmë se LDK-ja në zgjedhjet e ardhshme nuk do të jetë as e dyta. Ajo e di këtë e për këtë arsye nuk dëshiron zgjedhje. 6 tetori është element i rëndësishëm, jo vetëm për fitoren e Lëvizjes, por qytetarët kishin marrë vendim për ndryshimin. Mundësia në të ardhmen të formohen subjekte politike është e hapur. Nuk e di cili do të jetë vendimi i zonjës Vjosa Osmani, nuk e di nëse do të bëjë formim të partisë së re apo bashkëpunim tjetër me lëvizjen. Por jam e sigurt se qytetarët do të vendosin më bindshëm për ndryshime në zgjedhjet e ardhshme”.

Ajo ka thënë se është mirë që partitë të bëjnë koalicione parazgjedhore e jo siç LDK-ja shpesh para zgjedhjeve vë vija të kuqe e më pas i heq ato.

Nagavci po ashtu ka folur për menaxhimin e pandemisë gjatë kohës së Qeverisë Kurti, duke thënë se arritën që të ulnin deri në 0 numrin e të infektuarve. Ndërsa tha se për dallim nga kjo qeveri, në Qeverinë Kurti çdo vendim në raport me pandeminë merrej pas analizave të detajuara e po ashtu në mënyrë të matur. Madje tha se në kohën e Qeverisë Kurti pandemia ishte diçka krejt e re në botë.

Po ashtu Nagavci ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

“Në raportin me Serbinë, është e dukshme që çasja e kësaj Qeverie ka qenë e gabuar. Heqja e plotë e reciprocitetit, përkundër premtimeve dhëna elektoratit, e solli Kosovën në pozitë të disfavorshme. U ulën në tryezë të diskutimeve duke e përkeqësuar situatën e Republikës së Kosovës. Nuk janë të papritura deklaratat skandaloze të zyrtarëve serbë në ditët e fundit. E reagimi i Qeverisë ka qenë i vonshëm dhe i vakët”, ka shtuar Nagavci.

Ajo ka shtuar se LVV-ja ka mbështetur krijimin e Komisionit Hetimor për menaxhimin e pandemisë, të iniciuar nga PDK-ja. Por ka thënë se po shihet se tendenca ishte politike, madje me vet faktin se është kërkuar në krye së fundi që të jetë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

“Jam e bindur se Qeveria e re Kurti do të jetë shumë shpejt pas zgjedhjeve, dhe ministri Arben Vitia, do të jetë në krye të Shëndetësisë dhe do të vazhdojë me punët e mira që i nisi. Ai arriti jo vetëm të menaxhojë situatën me pandeminë, që ishte diçka krejt e re, por ktheu besimin në Shëndetësi”, ka thënë Nagavci.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet