Mustafa:Samiti i Berlinit hodhi poshtë çështjen e kufijve

Pas mbledhjes me kryetarë të degëve të LDK-së, kryetari i kësaj partie Isa Mustafa tha se sot janë hapur shumë çështje të situatës politike në vend, asaj që ka të bëjë me dialogun Kosovë-Serbi, veçmas për Samitin e Berlinit.

Mustafa tha se Samiti i Berlinit i ka dhënë fund korrigjimit të kufijve, sepse sipas tij, ndryshimi i kufijve është ndryshim i deklaratës së pavarësisë dhe hap çështjen e shtetësisë.

Mustafa: Samiti i Berlinit hodhi poshtë çështjen e kufijve

Jemi mjaft të kënaqur që Samiti i Berlinit në një formë i ka dhënë kahe kësaj çështje, sepse ka konsideruar se do të ishte e dëmshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin në qoftë se hapen çështjet e kufijve në këtë pjesë. Sepse atëherë nuk do të kemi vetëm me kufijtë e Kosovës, por edhe me kufijtë e vendeve të tjera. Ne si LDK do të angazhohemi që të gjendet zgjidhje sa i përket përfaqësimit të Kosovës në procesin e dialogut. Mbetemi që zgjidhja më e mira është shkuarja në zgjedhje dhe dalja e një qeveria të fortë, e cila do ta përfaqësoj Kosovën në këtë proces, jo organet tjera jo kushtetuese dhe të cilat na kthejnë para kohës së shpalljes së pavarësisë”, tha Mustafa.

Ai tha se me deklaratën e Pavarësisë, Kosova ka përcaktuar që kufijtë e Kosovës janë ata me marrëveshjen e Vjenës, që është bazë me planin e Ahtisarit. Prandaj, Mustafa tha se Kosova nuk guxon ta rrezikojë shtetësinë e saj.

Mustafa: Kosova nuk guxon ta rrezikoj shtetësinë e saj

Ne konsiderojmë se kufijtë etnik në Kosovë janë të rrezikshëm ashtu siç janë të rrezikshëm edhe kufijtë të tjerë etnik në vendet e tjera. Prandaj, si të tillë, ne nuk do t’i përkrahim në asnjë variant si LDK. Shtetin tonë domi me pas në këta kufij, në të cilin e kemi shpallë pavarësinë. Ndërkaq, zgjidhjen e problemeve të tjera me Serbinë në proces të dialogut duhet ta bëjmë duke gjetur interesa të përbashkëta, mirëpo në asnjë rast nuk guxojmë ta rrezikojmë shtetësinë e Kosovës”, tha Mustafa.

Sipas Mustafës, sa i përket taksës, për çdo ditë ka zëra të ndryshëm nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, dhe kërkoi që institucionet e vendit duhet ta mendojnë mirë këtë çështje, që mos të kushtëzohet dialogu Kosovë-Serbi.

Mustafa: Nuk duhet të lejojmë që dialogu të kushtëzohet

Sa i përket taksës kemi zëra që vërtet po ndryshojnë çdo ditë. Jeni dëshmitarë, edhe presidenti I vendit dhe kryetari i Kuvendit edhe subjekte të tjera kanë kërkuar që të ndërmerren masa për kërkesat e faktorit ndërkombëtar, sidomos të aleatit tonë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian. Në deklaratat e fundit të tyre, po del se janë të gjithë kundër heqjes së taksës. Unë mendojmë se institucionet e vendit duhet ta mendojnë mirë këtë çështje. Nuk duhet të lejojmë që dialogu të kushtëzohet, as nga Serbia, as nga të tjerët, por të krijohen kushte që dialogu të zhvillohet”, tha ai.

Mustafa ka mohuar të kenë LDK dhe VV bisedime për ndonjë koalicion parazgjedhor. Ai tha se me VV-në kanë vetëm bashkëpunim opozitar.

Ndërsa, se kush do të jenë kandidatët për kryetar të LDK-së, ai tha se në momentin që të përmbyllet procesi zgjedhor, atëherë mbete e hapur mundësia për çdo kënd që të kandidojë për kryetar të LDK-së.

Isa Mustafa tha ndër të tjera se temë kryesore me kryetarë të degëve të LDK-së ka qenë procesi zgjedhor i brendshëm, për gjithsej 38 degë, që tashmë zgjedhjet janë duke u zhvilluar edhe në 16 degë. Mustafa tha se procesi zgjedhor është duke shkuar në mënyrë normale.

Ndërkaq, nënkryetari i LDK Agim Veliu tha se janë në proces zgjedhor në degë dhe nëndegë, dhe në momentin që të vjen koha, do të deklarohet nëse do të kandidojë ose jo për kryetar të LDK.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet