Mustafa: Në Berlin dikush fliste me Merkel e Macron, e dikush i rrihte krahët Vuçiqit

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka komentuar samitin që u mbajt dje në Berlin.

Mustafa thotë se mesazhi i këtij takimi ishte që Evropës i duhet një Ballkan Perëndimor pa konflikte e kriza. Ndërsa thotë se u dëshmua se për marrëveshjen Kosovë-Serbi vendosin vetëm këto dy shtete me ndërmjetësim të BE-së.

“Nuk ka qenë e pritshme që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor do të vendosnin për çështjet e Kosovës dhe Serbisë në një takim të tillë. Për këto çështje vendoset në takimet e këtyre dy vendeve me ndërmjetësim të BE-së (pasi të kryhen zgjedhjet ne PE) dhe me një rol të fuqishëm të SHBA-së”, shkruan Mustafa në Facebook.

Deklaratat e Presidentit Thaçi se atje do të zgjidhë problemin e liberalizimit të vizave dhe atë të Luginës së Preshevës si dhe ato të Kryeministrit Haradinaj për tarifat dhe kufijtë sipas kreut të LDK-së, ishin për konsum të brendshëm, dhe u shuan ende pa u kthyer ata në Kosovë, dhe se u shuan bashkë me unitetin e delegacionit.

“U shuan sikurse uniteti i delegacionit të shqiptarëve, që i bëri bashkë aeroplani i Behxhet Pacollit deri në Berlin, por në Berlin dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Presidentit të Serbisë”,  thekson tutje Mustafa.

Sipas tij, është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i opozitës dhe pozitës për këtë çështje.

“Për një zgjidhje të tillë duhen të ndodhin zgjedhjet sa më parë në Kosovë”, shkruan në fund Mustafa.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet