Mustafa: Deri në fund të javës të arrihet marrëveshja ose të konstatohet që s’ka kushte

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka komentuar refuzimin e ofertës së kësaj partie nga ana e mandatarit për formimin e qeverisë Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së tha se mbeten të përkushtuar që të punojnë për marrëveshje, e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar.

Mustafa: Marrëveshja deri në fund të kësaj jave ose të konstatojmë se s’ka kushte

“Mendojmë se marrëveshja do të qetë në pah një qeveri të balancuar dhe përgjegjësi të balancuara ndërmjet dy palëve në harmoni me atë që qytetarët e Kosovës na kanë dhënë besimin me votën e tyre ne si LDK me 28 deputetë dhe LVV-së me 29 deputetë. Ne kemi dhënë një propozim që është shumë i balancuar që LVV duhet ta trajtojë me vëmendje të veçantë dhe mbetemi që të bisedojmë, por që ajo të ketë një përfundim sa më shpejt mundësisht deri në fund të kësaj jave, që të bëjmë marrëveshje ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, tha Mustafa.

Për më tepër, i pari i LDK-së tha se ka besim me vullnet që të ketë marrëveshje në dobi të qytetarëve.

Ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj kohe kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me Kurtin, por nuk ka dashur të komentojë nëse janë pranë arritjes së koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet