Murati: Diaspora shqiptare është mbi nivelin e Daçiqit

Ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Valon Murati, ka reaguar ndaj ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, për deklaratat mbi përgatitje të diasporës shqiptare që të sulmohen ambasadat serbe në Evropë.

“Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, deklaroi se Serbia ka informacion se diaspora shqiptare ka në plan marrjen me dhunë të ndonjë prej misioneve diplomatike dhe konsullore të Serbisë si reagim ndaj arrestimit të Ramush Haradinajt.

Është e pamundur sa stereotip e jokreativ po dëshmohet lidershipi serb edhe në këtë rast në sulmin e tyre ndaj shqiptarëve. Kurrsesi nuk po mund të dalin nga kornizat e ngushta të bërjes politikë, brenda të cilave kundërmon erë konspiracioni, sulmi, gjaku, primitivizmi.

Për më tepër Serbia me këtë qasje po vazhdon luftën speciale kundër Kosovës, duke shfrytëzuar krejt arsenalin e saj. Kësaj radhe u morë edhe me diasporën. Fatmirësisht, diaspora jonë përbën një diasporë shumë të ngritur e të integruar. Një diasporë që qëndron shumë më lartë se një ministër si ai Daçiq.

Kemi përjetuar sulme edhe më të egra e primitive nga Serbia, si masakra e vrasje mbi gra e fëmijë dhe kjo diasporë nuk ka bërë veprime çfarë “ka frikë” Daçiqi se do të bëj sot.

Diaspora shqiptare tani më po e bënë atë që e ka pasur në plan – po proteston në mënyrë të qytetëruar gjithandej nëpër botë, po mbledh peticione e po lobon për lirimin e Ramush Haradinajt. Dhe me këtë po e nxjerrë në sipërfaqe praninë e mentalitetit primitiv e konfliktuoz të Ivica Dacicit dhe po dëshmon se çdoherë është e gatshme të rreshtohet në krahë të mbrojtjes së atdheut”, ka shkruar ai./rtk/

Kategoritë
DiasporaLajme

Të ngjajshmet