MPMS/APRK dhe UNDP kanë nisur shpërndarjen e pajisjeve për përfituesit e Vetëpunësimit

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës(APRK), në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), kanë nisur shpërndarjen e pajisjeve për përfituesit e Programit të Vetëpunësimit 2020.

MPMS-APRK dhe UNDP gjatë këtij viti shpallën të hapur për aplikim fazën e parë të Programit të Vetëpunësimit, me anë të së cilit u mbështeten 136 punëkërkues të riatdhesuar në Kosovë në profile të ndryshme si automekanik, suvatim, rrobaqepësi, kulinari, autolarje dhe shumë profile të tjera, sipas nevojave të tregut të punës.

Deri më tani, është bërë shpërndarja e pajisjeve për profile të ndryshme dhe po vazhdojnë të shpërndahen pajisjet e të gjitha profileve të ofruara në kuadër të Programit të Vetëpunësimit.Kjo përkrahje e ofruar ka për qëllim që të mbështesë idetë e realizueshme për biznes të punëkërkuesve të riatdhesuar në Kosovë.

Shumë nga përfituesit, pas pranimit të pajisjeve, tashmë kanë nisur punën në bizneset e tyre.Së shpejti, MPMS/APRK në bashkëpunim me UNDP do të shpallin të hapur thirrjen e radhës për Programin e Vetëpunësimit.

Përpjekja e shtuar e përkrahjes për punëkërkuesit vjen posaçërisht në këtë kohë të përballjes me pandeminë COVID-19, me qëllim të krijimit të më shumë mundësive për punësim afatgjatë dhe përkrahje në hapjen e bizneseve për punëkërkuesit në Kosovë.

Krahas Programit të Vetëpunësimit, MPMS/APRK dhe UNDP po mbështesin punëkërkuesit në Kosovë edhe nëpërmjet Programit të Subvencionimit të Pagës dhe Programit për Trajnim në punë për punëkërkues të riatdhesuar në Kosovë.

Kategoritë
LajmeVendi