MPJ dënon sjelljen destruktive të Beogradit ndaj qytetarëve të Kosovës

​Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shpreh shqetësimin me rastin e ndalimit të qytetarëve kosovarë, nga autoritetet e Beogradit, duke thënë se me këtë po shkelen obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit dhe liritë e të drejtat evropiane për lëvizje të lirë dhe paprekshmërinë e dinjitetit human.

Më këtë lloj sjellje klandestine, me justifikimet nga më të ndryshme, qofshin ato të natyrës teknike apo procedurale, autoritetet e Beogradit edhe një herë, po dëshmojnë se vazhdojnë të funksionojnë sipas praktikave dhe mentalitetit Millosheviqian, thuhet në reagim.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ri-thekson se institucionet e Republikës së Kosovës, refuzojnë kategorikisht këtë sjellje të Beogradit, dhe në vijë me praktikat e brendshme dhe ndërkombëtare, do të shqyrtojë të gjitha veprimet ligjore dhe institucionale kundrejt Beogradit.

Në linjë me këtë përkushtim, MPJ tashmë i ka komunikuar institucioneve të BE-së shqetësimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe se në rast se nuk ndërhyhet shpejt në korrigjimin e Beogradit, nga ana e tyre, do të detyrohen të veprojnë sipas masave ligjore në dispozicion.

MPJ është në proces të informimit me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me arrogancën e papërmbajtshme të Beogradit, duke e bërë të qartë se kjo nuk i shërben normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, si dhe pengon rrugëtimin evropian të rajonit, për të cilin Beogradi në vazhdimësi shfaqet destruktiv.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet